Sulm terrorist në Stamboll, 39 të vdekur

Sipas informacioneve të fundit si pasojë e sulmit terrorist, të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe 65 të tjerë janë plagosur

Ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Süleyman Soylu ka dhënë detaje mbi sulmin terrorist të ndodhur në një klub nate në Stamboll, raporton (AA).

Në fjalën e tij Soylu ka thënë: “Sipas informacioneve që kemi marrë nga forcat e sigurisë, ka pasur një sulmues. Nuk ka pasur më shumë se një. Një person i veshur me pantallona dhe xhup ka hyrë brenda duke gjuajtur mbi njerëzit e ndodhur aty. Ndërkohë është munduar të dalë jashtë me një tjetër veshje. Vlerësimi i këtyre informacioneve nga ana e forcave të sigurisë vazhdon. Puna e policisë për kapjen e autorit është duke vazhduar.”

Ministri ka folur për mediat në vendin e ngjarjes, ndërkohë atë e shoqëronin, ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Recep Akdağ, Prefekti i Stambollit Vasip Şahin dhe Drejtori i Policisë së Stambollit Mustafa Çalışkan.

Ndërsa duke dhënë detaje mbi ngjarjen, Soylu në vijim të fjalës së tij tha: “Në këtë sulm është bërë një masakër. Ky sulm është çnjerëzor. Deri më tani 39 njerëzit tanë kanë humbur jetën, identiteti i 20 prej të cilëve është mësuar. Nga këto 15 janë të huaj dhe 5 janë shtetas të Turqisë. Ndërkohë nga këto 5 persona 3 ose 4 janë nga punonjësit. Puna për identifikimin e të tjerëve është duke vazhduar.”

Ndërsa ministri I Shëndetësisë së Turqisë Akdağ duke dhënë detaje mbi gjendjen e të plagosurve ka thënë se momentalisht në spitale gjenden 65 të plagosur. Ai ka shtuar se gjendja e 4 prej tyre është e rëndë.

Shekulli Agency