SHBA shmang deklaratat e prera mbi përgjimin e Erdoganit

E përditshmja amerikane, “Wall Street Journal”, hodhi të martën pretendimin se Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, ka urdhëruar përgjimin sekret që prej vitit 2014 të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe të Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

erd-oba5211776Pavarësisht se i përgënjeshtroi këto pretendime, Shtëpia e Bardhë iu shmang deklaratës së prerë: “Nuk i përgjojmë!”

“Nuk do të përgjojmë bisedat e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve mike pa pasur motive të pashmangshme dhe ligjore, që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare”, ishte shprehur më parë lideri amerikan.

Zyrtarë amerikanë në detyrë dhe të pensionuar, të kontaktuar nën kushtet e anonimatit nga “Wall Street Journal”, kanë bërë me dije se një listë me emrat e liderëve, të cilët nuk do të përgjohen, ishte hartuar menjëherë pas kësaj deklarate të Obamas nga vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Në listë është shtuar Kancelarja gjermane, Angela Merkel, me të cilën u përjetua një krizë pikërisht për shkak se ishte përgjuar më parë; por janë përjashtuar emrat e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kjo nënkupton se Shtëpia e Bardhë ka lejuar në mënyrë indirekte përgjimin e Presidentit Erdogan dhe rrethit të tij të ngushtë.

Sakaq, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Ned Price, iu shmang një deklarate të prerë nëse Uashingtoni përgjon ose jo Erdoganin, gjatë një interviste për ditoren turke, “Sabah”.

“Në vitin 2014, Presidenti Obama kishte njoftuar se nuk do të interceptojmë bisedat e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve mike pa u paraqitur një situatë detyruese në lidhje me sigurinë kombëtare. Krerët e shteteve dhe qeverive, me të cilët bashkëpunojmë, duhet të ndihen të sigurt se ne i trajtojmë si partnerë të vërtetë. Përveç këtyre, nuk mund të them asgjë më tepër”, theksoi Ned Price.

Kurse zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, bëri një deklaratë në lidhje me pretendimet në fjalë gjatë konferencës ditore për shtyp, pak përpara se gazeta të publikonte lajmin e sipërcituar.

“Nuk mund të komentoj mbi çështjet e inteligjencës, por Turqia është një aleate shumë e afërt. S’ka asnjë arsye për të besuar se ne e trajtojmë Turqinë në këtë mënyrë”, tha ai.

Shekulli Agency