Reforma në Drejtësi/ Ja si do zbulohen paratë e pista të politikanëve në bankat e huaja

reforma-drejtesi-768x428Në kuadër të reformës në drejtësi, është zbuluar modeli që do të ndjekë Shqipëria, me qëllim gjurmimin dhe zbulimin e parave të pushtetarëve shqiptarë, në bankat e huaja, ku dyshohet se pjesa më e madhe i kanë të fshehura në Qipro. Gazeta Sot raporton se misioni EURALIUS, që përfaqëson ekspertizën më të lartë të BE në Tiranë, u ka rekomanduar palëve që të ndjekin modelin kroat për zbulimin e parave të korrupsionit, USKOK (Zyra për Luftën ndaj Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci), që janë pastruar a fshehur në vendet e huaja.

Në rekomandimet e EURALIUS theksohet se një ndër detyrat bazë të strukturës antikorrupsion është bashkëpunimi ndërkombëtar. Në projekt, parashikohen hetime deri në detaje si dhe marrja në pyetje e qindra dëshmitarëve për një rast të vetëm, siç ndodhi me rastin e ish-kryeministrit kroat Sanader, ku u pyetën mbi 500 persona.

EURALIUS është shprehur se USKOK ka nënshkruar marrëveshje me shumë agjenci, prokurori dhe shërbime ndërkombëtare, deri tek FBI, me të cilët bashkëpunon për të gjetur çdo lloj pasurie të paligjshme, teksa ka sugjeruar që një gjë e tillë të ndodhë dhe në Shqipëri. Pra të gjitha ata politikanë, prokurorë, gjyqtarë apo çdo zyrtar tjetër që ka pastruar dhe fshehur para jashtë shtetit, do kontrollohen dhe nga të huajt, sidomos nga agjencitë në vendet e SHBA dhe BE.

Shekulli Agency