Putin: Bota njohu pavarësinë e Kosovës, pa mbajtur fare referendum

vladimir-4635224Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka deklaruar se për të janë më të rëndësishme të drejtat e njeriut se sa kufijtë dhe territoret shtetërore, dhe ka përsëritur se Rusia ka respektuar të drejtën ndërkombëtare në rastin e aneksimit të Krimesë.

Putin në intervistën për gazetën gjermane Bild, ka thënë se shumica e qytetarëve të Krimesë ka votuar për bashkim me Rusinë, transmeton Koha.net.

“E drejta ndërkombëtare duhet të respektohet. Kjo ka ndodhur në rastin e Krimesë. Sipas Kartës së KB-së, çdo popull ka të drejtë në vetëvendosje”, ka thënë Putin.

“Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe e gjithë bota e ka pranuar, e cila ka qenë arsyeja e kësaj? Ka qenë vendimi i Parlamentit? Atje madje nuk ka pasur as referendum”, ka theksuar Putin.

Në konstatimin e gazetarit se paraprakisht qeveria serbe ka zhvilluar luftë kundër shqiptarëve të Kosovës dhe se ka dëbuar qindra mijëra sish dhe se ky është ndryshimi në raport me Krimenë, Putin thotë se është fakt se ka pasur luftë të gjatë në të cilën Serbia e Beogradi janë bombarduar dhe sulmuar me raketa.

“Ky ka qenë intervenim ushtarak i Perëndimit dhe i NATO-s kundër asaj që kishte mbetur nga ish- Jugosllavia”, ka thënë ai dhe ka pyetur: “Nëse njerëzit në Kosovë kanë të drejtë për vetëvendosje, pse njerëzit në Krime nuk kanë?”.

Shekulli Agency