“Pushtimi sovjetik në Afganistan krijoi grupet e sotme radikale”

I dërguari i presidentit të Rusisë në Afganistan, Zamir Kabulov thotë se invazioni sovjetik në Afganistan në vitin 1979 ka çuar në daljen në sipërfaqe të grupeve radikale siç janë Al-Kaeda dhe DEASH-i

I dërguari i presidentit të Rusisë në Afganistan, Zamir Kabulov, pranon se destabilizimi i vendit si rrjedhojë e invazionit sovjetik të Afganistanit në vitin 1979 ka çuar në daljen në sipërfaqe të grupeve radikale siç janë Al-Kaeda dhe DEASH-i, raporton (AA).

“Njëri nga sloganet kryesore për përkrahje të Afganistanit (gjatë invazionit) ishte se Bashkimi Sovjetik erdhi për të çrrënjosur islamin. Kjo mjaftonte si një slogan”, tha Kabulov, i cili njëherësh mban postin e drejtorit në Departamentin e Dytë Aziatik, të ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Në intervistë për Anadolu Agency, Kabulov tha se sloganet e tilla kanë inkurajuar shumë njerëz të shkojnë për të luftuar në Afganistan duke bërë xhihadin e tyre.

“Osama bin Laden, një shtetas saudit me origjinë nga Jemeni, por edhe shumë të pakënaqur të tjerë nga rrjedha e gjërave në botën islame deshën të përballen me sfidat, përfshirë me ato të cilat sips tyre paraqisnin kërcënim për islamin. “Afganistani u shndërrua në një vend të përshtatshëm për takim të bashkëmendimtarëve”, tha ai për të shtuar ata njerëz akoma më shumë destabilizuan vendin.

Gjuha e njëjtë me atë të DEASH-it

Kabulov ka dhënë vlerësimin e tij sa i përket talibanëve, për të cilët tha se janë kryesisht një forcë lokale.

“Parasëgjithash, talebanët nuk janë homogjenë. Brenda tyre ka krahë të ndryshëm me prapavijë të ndryshme ideologjike”, tha ai për të shtuar se talebanët sot flasin me të njëjtën gjuhë siç flet DEASH-i.

“Skenari i njëjtë, ideologjia e njëjtë por njerëz tjerë”, thotë ai duke rikujtuar hartën e “halifatit Islamik” që është shfaqur në Afganistan, në të cilën ishin përfshirë Afganistani, disa shtete në Lindjen e Mesme, pjesë të Indisë, Azia Qendrore duke mbërritur në paralagjet e Moskës.

Kabulov thotë se brenda talebanëve ka grupe me ndikim të madh “ideologjia e të cilëve është radikale, e përafërt me atë të DEASH-it, por që megjithatë paraqesin një forcë lokale.

“Si rezultat i të gjitha mësimeve historike që morën në Afganistan, ata hoqën dorë nga ideja për xhihad global. Ata janë penduar që ndoqën rrugën e Osama bin Ladenit. Tani ata janë duke luftuar armiqtë e Islamit dhe pushtuesit ndërkohë që duan një qeveri që do t’u shërbejë muslimanëve”.

Diplomati rus tha se DEASH-i dhe kërcënimet e ngjashme do të ekzistojnë deri sa të ketë probleme në botë.

“Mendoj se kjo do të jetë kështu për aq sa bota muslimane ndihet se frenat i ka bota perëndimore, dhe për aq kohë që liderët e disa vendeve muslimane të jenë shumë të pasur ndërsa njerëzit të mos jenë”, tha ai.

Pushtimi sovjetik i Afganistanit filloi më 27 dhjetor 1979 dhe përfundoi 10 vjet më vonë, duke lënë rreth një milion civilë të vdekur, bashkë me rreth 90.000 luftëtarë muxhahidinë, 18.000 trupa afgane dhe 14.500 ushtarë sovjetikë.

Kabulov hedh poshtë pohimin për shifrat e civilëve të vdekur gjatë konfliktit, duke vënë në dukje se as Rusia dhe as vendet e tjera të përfshira nuk kanë shënime të sakta për numrin e viktimave.

Sipas tij, këto shifra janë shpikur nga amerikanët për t’i prezantuar rusët “si kasapë”.

Shekulli Agency