Puçistët me duart lart, makthi po mbaron në Turqi; Erdogani për Gylenin: Po ta mbajti, hajde në atdhe!

puc-turMëngjesi i kësaj të shtune ka gdhirë ndryshe në Turqi, në vendin që po bëhet gati të lërë pas një tjetër grusht shteti, veçse këtë herë të dështuar.

Pesëdhjetë është numri i ushtarëve të arrestuar në urën Boğaziçi, të cilët janë dorëzuar me duart lart pasi e kishin bllokuar për tërë natën qarkullimin me tanket e tyre.

E hapur është dhe kjo urë tashmë, ashtu siç ngjau më herët dhe me urën tjetër të varur mbi Bosfor.

Përpëlitjet e fundit janë një numër bombardimesh mbi presidencën turke këtë mëngjes, që kanë lënë prapa pesë të vrarë e shumë të plagosur.

336 është numri i të arrestuarve në tërë vendin gjer në këtë orë.

Presidenti turk është shfaqur edhe një herë para kamerave, këtë herë duke iu drejtuar banorëve të Stambollit.

“Nga këtu po i bëj thirrje Pensilvanisë,” ka ngritur zërin Erdogani, duke nënkuptuar me Pensilvaninë banuesin atje, Fethullah Gylenin, “mjaft me tradhtinë që i ke bërë këtij ummeti dhe këtij mileti. Po ta mbajti, hajde në atdhe!”

/tesheshi.com/

Shekulli Agency