Presidenti Nishani i kërkon Kushtetueses shfuqizimin e ligjit të pronave

sh-bujar-nishaniPresidenti i Republikës, Bujar Nishani i është drejtuar të martën Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, dhe pezullimin e zbatimit të ligjit për trajtimin e pronës.

Në argumentet e parashtruara në kërkesë, mes të tjerash Presidenti thotë se zbatimi i këtij ligji, potencialisht krijon situatën e dobësimit të pozitës së pronarëve, që tashmë kanë një vendim përfundimtar të formës së prerë, të cilin presin prej vitesh që të ekzekutohet.

Sipas Nishanit, ndërhyrja e shtetit përmes këtij ligji nuk është proporcionale, por përkundrazi është arbitrare dhe cënon rëndë standardet e Konventës dhe të Kushtetutës së Shqipërisë, duke cënuar drejtpërdrejt të drejtat e pronarëve dhe subjektet e tjera që janë në pritje prej vitesh të trajtimit të kërkesës së tyre për kthim/kompensimin e pronës.
Presidenti kërkon pezullimin e zbatimit të ligjit të pronave deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.

Ligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, u miratua në Kuvend më 5 dhjetor 2015, vetëm me votat e maxhorancës. Më 11 dhjetor Presidenti refuzoi ta dekretojë ligjin, duke e rikthyer për shqyrtim në parlament. Në fillim të sesionit të ri, në seancën e 21 janarit, Kuvendi e rrëzoi dekretin duke lënë në fuqi ligjin në fjalë.

Ndërsa, është botuar në fletoren zyrtare më 8 shkurt 2016, ligji nuk mund të nisë nga zbatimi deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehet me vendim.

Ligji “Për trajtimin e pronës dhe perfundimin e procesit të kthimit të pronave’ synon zgjidhjen e çështjes së pronarëve të vjetër, duke eliminuar me ligj dhe në praktikë zvarritjet burokratike. Ai synon gjithashtu të sjellë barazi të të gjithë ish-pronarëve, që u është njohur prona për kompensim, me qëllim realizimin e një shpërblimi të drejtë, sipas kushteve ekonomike dhe sociale të shtetit.

Shekulli Agency