Presidenti austriak deputetëve të Kosovës: Respektoni demokracinë dhe pluralizmin

Këto mesazhe presidenti austriak Fischer i ka përcjellë në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës, të organizuar për nder të tij dhe me prezencë të gjithë deputetëve, të pozitës dhe të opozitës

333-45553768Falë vizitës së presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, me ftesë të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, pas më shumë se një muaji, Kuvendi i Kosovës sot ka pasur një seancë normale. Fischer i ka porositur deputetët e Kuvendit të Kosovës se demokracia duhet të kultivohet dhe se, kur funksionon si duhet parlamenti në një shtet, atëherë funksionon mirë edhe demokracia, raporton Anadolu Agency.

Këto mesazh presidenti austriak Fischer i ka përcjellë në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës, të organizuar për nder të tij dhe me prezencë të gjithë deputetëve, të pozitës dhe të opozitës. Kjo ishte seanca e parë e Kuvendit e cila u zhvillua e pa penguar nga opozita e cila për më shumë se një muaj, ka bllokuar punën e Kuvendit, në shenjë të kundërshtimit të Marrëveshjeve me Serbinë në Bruksel, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe atë për demarkacion e kufirit me Malin e Zi.

Megjithatë, përderisa presidenti austriak Fischer po mbante fjalimin e tij, përkundër faktit se sot opozita respektoi rregullat e mirësjelljes në sallë, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e shfrytëzuan rastin që të gjejnë mënyrë të protestës ndaj koalicionit qeverisës, duke i dërguar mesazh presidentit Fischer, përmes dy pankartave.

Në njërën shkruante “Ruaje shpinën, zotëri President. Gënjeshtar dhe të korruptuar janë të ulur prapa jush” dhe në tjetrën, “Mjaft me heshtjen e hegjemonisë serbe”, por  presidenti austriak ka vazhduar me fjalimin e tij.

Pikërisht për shkak të krizës politike, presidenti Fischer ka apeluar në respektimin e demokracisë dhe pluralizmit, nga ana e të gjithë deputetëve.

Ai ka thënë se Kosova duhet të mësojë nga historia dhe ka marr shembull Austrinë e cila ka pasur shumë probleme pas shkatërrimit të Perandorisë Austro-Hungareze dhe ka arritur të ndërtojë sistemin e demokracisë parlamentare.

“Sot ne kemi një Parlament stabil, qeveri e cila së bashku me opozitën mund të bashkëpunojë dhe të krijoj ligje të ndryshme, dhe në kuadër të këtij procesi opozita ka funksion dhe rëndësi të veçantë për të përcjell gjendjen faktike e cila rrjedh nga këto ligje. Me një fjalë, unë apelojë tek ju dhe kërkoi që të ketë pluralizëm të partive politike të cilat dallojnë njëra nga tjetra, si dhe iu ofrojnë programe të ndryshme qytetarëve të vet, sa i përket çështjeve themelore sikurse janë, respektimi i Kushtetutës, shtetit ligjor dhe interesave të politikës së jashtme. Pra, lidhur me këto çështje, të gjithë duhet të keni një gjuhë të përbashkët dhe qëndrim unik” ka theksuar presidenti austriak, Fischer.

Ai shtoi se, askund nuk ka demokraci të përkryer, por se ajo duhet të zhvillohet dhe respektohet, në mënyrë që të tejkalohen edhe kohët dhe situatat e vështira, me qëllim që të plotësohen kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.

Presidenti Fischer rikujtoi se Austria është ndër shtetet e para të cilat e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, e ka përkrahur dhe do të vazhdojë të përkrah shtetin e Kosovës dhe zhvillimin e vendit. Ai përmendi se sot në mëngjes ka marr pjesë në Forumin Ekonomik Kosovaro-Austriak, së bashku me presidenten Jahjaga, ku dëshmohet se shteti i tij është i interesuar që ta ndihmoj zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në vitet e ardhshme të thellojë bashkëpunimin në këtë sferë, ndërmjet dy shteteve

Sa i përket integrimit të Kosovës, Fischer tha se nuk duhet të caktohen afate dhe limite kohore por duhet punuar që të përmbushen standardet dhe trasohet rruga drejtë BE-së.

“Është shumë logjike që në kuadër të zgjerimit të BE-së të përfshihen edhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe kjo është edhe dëshira jonë por, të gjitha ato shtetet të cilat aspirojnë të bëhen pjesë e kësaj familjeje duhet të respektojnë standardet dhe të plotësojnë obligimet të cilat vlejnë, jo për grupe të caktuara por për të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian” ka thënë presidenti Fischer.

Paraprakisht, para pjesëmarrjes në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer ishte pritur nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Austria ka dhënë për Kosovën, në të gjitha fazat e saja, para dhe pas luftës, në veçanti pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në proceset e njohjeve dhe pranimit në organizatat ndërkombëtare.

Nga ana e tij, presidenti Fischer përgëzoi kryeministrin Mustafa për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, duke thënë se “tani Kosovën e presin punë të rëndësishme, në proceset integruese evropiane”.

Po ashtu, presidenti Fischer shprehu përkrahjen e plotë të Austrisë për rrugën integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe proceset tjera ndërkombëtare, siç është anëtarësimi në UNESCO, tash nëntor.

Vizitën e tij në Kosovë, presidenti Fischer do ta përfundojë me vizitën në Prizren, ku së bashku me presidenten Jahjaga, do të vizitojë Kishën Katolike dhe Xhaminë e Sinan Pashës.

Vizita presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, me delegacionin e tij është vizita e parë e ndonjë presidenti austriak në Kosovë, që nga shpallja së pavarësisë së vendit, me 17 shkurt 2008.

Shekulli Agency