Policia Turke trajnim për oficerët e anti-terrorit të Policisë Shqiptare

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, mbajti një fjalë drejtori i Drejtorisë së Anti-terrorit në Policinë e Shtetit Shqiptar, Gledis Nano, i cili u shpreh se këto trajnime shërbejnë edhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve

kot-67555Është zhvilluar sot me anë të një ceremonie në Akademinë e Sigurisë në Tiranë shpërndarja e certifikatave për oficerët e terrenit të anti-terrorit të Policisë Shqiptare që janë trajnuar nga kolegët e tyre të shtetit turk në lidhje me “parandalimin e financimeve të terrorizmit”. Pjesë e këtij trajnimi kanë qenë 26 punonjës të Policisë Shqiptare nga drejtoritë e gjithë vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, mbajti një fjalë drejtori i Drejtorisë së Anti-terrorit në Policinë e Shtetit Shqiptar, Gledis Nano, i cili u shpreh se këto trajnime shërbejnë edhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Falënderojmë trajnuesit që kaluan një javë me leksionet dhe prezantime e tyre. Ne do ta shpërblejmë këtë me forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Çështjet e luftës kundër terrorit janë shumë të rëndësishme, kërkojnë një kohë sa më të shkurtër për zgjidhje, kështuqë shkëmbimi i informacionit duhet të jetë në kohë reale. Jemi në pritje të trajnimeve të tjera sipas programit të përcaktuar”- u shpreh Nano.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe këshilltari pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Cem Baş, i cili u shpreh se trajnuesit e ardhur nga Turqia janë më të përzgjedhurit që ka vendi. “Terrorizmi është një nga sfidat më të rëndësishme të epokës moderne. Ne si Turqi jemi në luftë aktive prej vitesh me terrorizmin. Jemi në një luftë të vazhdueshme me organizatat terroriste në Turqi, që herë pas here bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Një nga aspektet më të rëndësishme është parandalimi i financimit të terrorizmit. Parandalimi i financimit të terrorizmit është i rëndësishëm dhe që ka të bëjë me shumë aktivitete. Sot organizatat terroriste kanë zhvilluar metoda të reja për të siguruar financimet. Shpresojmë që trajnimet tona të vazhdojnë”-u shpreh Baş.

Gjithahstu këshilltari pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, u shpreh se trajnimi i radhës që është përcaktuar në lidhje me masat parandaluese për aktet terroriste pritet të zhvillohet në qershor të këtij viti.

Përfaqësuesi i policisë së shtetit turk, i cili mban edhe postin e drejtorit të Zyrës së Anti-terrorit në Policinë e qytetit Siirt në Turqi, Cengiz Saglam, u shpreh se gjatë ditëve të trajnimit me oficerët e policisë shqiptare u ndanë temat se si mund të realizohet parandalimi i financimeve të terrorizmit.

“Dy vendet tona kanë një kulturë e histori përbashkët dhe prandaj patëm një emocion veçantë. Mendoj se marrëdhëniet mes vendeve tona janë vëllazërore dhe miqësore. Sidomos dy vitet e fundit bashkëpunimi ndërshtetëror ka marrë një rëndësi të veçantë dhe policitë tona brenda këtij kuadri marrin një rol të veçantë. Organizatat terroriste sigurojnë edhe fondet përkatëse për qëllimet e tyre dhe është e nevojshme që të parandalojmë financimet e tyre. Gjatë trajnimit që realizuam i ndamë temat se si mund të realizohet kjo gjë. Gjithashtu theksuam se organizatat terroriste duhen parandaluar para se ato krijohen”- u shpreh Saglam.

Ceremonia u mbyll me shpërndarjen e certifikatave për trajnimin e 26 oficerëve anti-terror të terrenit, pjesë e Policisë Shqiptare, të cilët shërbejnë në qytete të ndryshme të vendit. Gjatë muajt shkurt Policia Turke ofroi edhe një trajnim për efektivët e Policisë Shqiptare “mbi radikalizmin i cili i hap rrugë terrorizmit”.

Shekulli Agency