Policia kosovare arreston dy të dyshuar në lidhje me terrorizmin

Policia-kos-111-87666jpgSi rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të vazhdueshme të ndërmarra nga Drejtoria Kundër Terrorizmit, në kuadër të Policisë së Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me njësitë dhe agjencionet tjera relevante, më datën 15 dhe 16 mars 2016, ka ndërmarrë dy operacione të ndara për zbatimin e urdhër kontrolleve të lëshuara nga gjykatat kompetente, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

Sipas policisë më 15 mars 2016 në rajonin e Prizrenit, Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren ka zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj të dyshuarit P. D., nën dyshimin se i njëjti është i përfshirë në ‘financim apo lehtësim të terrorizmit’, sanksionuar sipas Ligjit nr. 03/L 196, neni 36B, ‘financim i terrorizmit’.

“I dyshuari P. D. së paku në një rast ka financuar dy persona me qëllim të pjesëmarrjes në grup terrorist, përkatësisht në konflikt jashtë vendit, vepër e ngelur në tentativë, pasi që të njëjtit janë ndaluar nga Drejtoria Kundër Terrorizmit në muajin dhjetor 2015 në tentativë që të udhëtojnë për në zonën e konfliktit. Ndaj të dyshuarit janë duke vazhduar hetimet edhe për mundësinë e përfshirjes së tij në raste tjera”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sot më datë 16 mars 2016 Drejtoria Kundër Terrorizmit pas hetimeve të gjata lidhur me një rast të mëhershëm, në bashkëpunim me njësitë tjera policore dhe e mbështetur edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka ndërmarrë një operacion për zbatimin e urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj objekteve të banimit dhe bizneseve të personit F. R. në rajonin e Prishtinës dhe Pejës.

Policia e Kosovës bën të ditur se ndaj të dyshuarit F. R. që nga viti 2014 janë duke u zhvilluar hetime penale, nën dyshimin se i njëjti në vazhdimësi ka qenë në kontakt me persona dhe grupe të caktuara të personave nga Kosova, të cilët janë marrë me organizimin dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

“I dyshuari F. R. në vazhdimësi ka vënë në dispozicion bizneset e tij, me qëllim të përkrahjes dhe mbështetjes financiare dhe logjistike të personave që janë të përfshirë në organizim dhe rekrutim për terrorizëm, duke përfshirë edhe persona të cilët njihen për përhapjen e ideologjisë ekstremiste në tërë Kosovën, si dhe persona të cilët kanë udhëtuar apo kanë tentuar të udhëtojnë për në zonën e konfliktit”, thuhet më tej në kumtesë.

“Shumë persona të cilët i dyshuari F. R. në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet personave tjerë i ka mbështetur në aspektin financiar dhe logjistik janë arrestuar për vepra penale nga kapitulli i XIV i KPK-së, përkatësisht veprave penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, disa prej tyre aktualisht gjenden në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak, ndërsa një numër i tyre, duke përfshirë edhe disa persona që kanë qenë të punësuar në bizneset e tij, janë raportuar të vrarë në zonën e konfliktit”, qëndron në njoftim.

Në këtë kontroll janë konfiskuar dokumentacione dhe pajisje elektronike të cilat konsiderohen prova që ndërlidhen me vepra penale.

Duke marrë parasysh këto që u cekën më lart, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale në vijim: rekrutim për terrorizëm, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, lehtësimi në kryerjen e terrorizmit

Personi i dyshuar është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje dhe procedura të mëtutjeshme ligjore.

/AA/

Shekulli Agency