Opozita e Malajzisë dënon dhunën ndaj muslimanëve Rohingya

Partitë opozitare të Malajzisë iu kanë bërë thirrje vendeve të Azisë Juglindore që të reagojnë ndaj Mianmarit për t’i dhënë fund dhunës disa dekadëshe mbi muslimanët Rohingya në perëndim të shtetit Rakhine, raporton (AA).

Udhëheqësja e opozitës Dr. Wan Azizah Wan Ismail të martën deklaroi se Organizata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), duhet të bëjë presion më madh ndaj Mianmarit që menjëherë të ndërpresë dhunën në Rakhine, në vend të diskutimeve me atë vend.

“Deklarata për fillimin e diskutimit nga ASEAN duhej të ishte bërë 30 vjet më parë … jo tani, kur çështja është në një gjendjen shumë të keqe”, tha ajo në një konferencë për shtyp, ku morën pjesë edhe liderët e partive në koalicionin opozitar të paktit “Shpresa”.

Konferenca për shtyp u mbajt në mes të vazhdimit të operacioneve ushtarake të Mianmarit në Rakhine të nisura pas sulmeve fatale të 9 tetorit në postat e policisë.

Një sulm i armatosur ka ndodhur më 9 tetor ndaj postave kufitare në rajonin Arakan të Mianmarit. Si pasojë e sulmit të paktën 13 ushtarë humbën jetën dhe 29 u plagosën. Ndërkohë pas kësaj ngjarjeje autoritetet dislokuan një numër të madh forcash në rajon dhe nisi një operacion i gjerë.

Grupet solidarizuese me muslimanët Rohingya thonë se si pasojë e këtyre operacioneve të paktën 400 muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën. Ndërkohë autoritetet qeveritare thonë se numri i të vdekurve është 86.

Që nga muaji i kaluar, Malajzia ka drejtuar kritika të ashpra ndaj qeverisë së Mianmarit dhe ushtrisë rreth dhunës, të cilësuar nga Kryeministri Najib Razak dhe kabineti i tij si “gjenocid” apo “pastrimit etnik”.

Pas organizimit të protestave nga qeveria e Malajzisë të udhëhequr nga Razak më 4 dhjetor kundër dhunës, Mianmari ka akuzuar Malajzinë për ndërhyrje në punët e saj të brendshme.

Të martën, Ismail tha se Malajzia, si vend anëtar i ASEAN, duhet të luajë një rol më agresiv në sigurimin e paqes në Rakhinen veriore. “Ne kërkojmë që t’i jepet fund dhunës kundër muslimanëve Rohingya dhe rritjen e përpjekjeve humanitare dhe ndihmës”, tha ajo.

Ismail tha se paqja në Mianmar është shumë e rëndësishme jo vetëm për Rohingyat, por edhe për minoritetet e tjera si të krishterët etnik Karen, të cilët ajo i përshkroi se janë “njëlloj të shtypur”.

Malajzia insiston se “kriza Rohingya” nuk është më një çështje e brendshme, duke paralajmëruar se në mungesë të një zgjidhjeje urgjente kjo do të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Malajzia ka pranuar 54.000 muslimanë Rohingya të regjistruar nga agjencia e refugjatëve të OKB-së UNHCR, së bashku me mbi 41,400 muslimanë të Kinës dhe 10,900 muslimanë të tjerë të Mianmarit.

Sipas regjistrimit të fundit, në Malajzi janë regjistruar 135.000 Rohingya në vitin 2014.

Shekulli Agency