OKB: Popullsia në Ballkanin Perëndimor shkon drejt uljes

Sipas raportit të OKB-së për “Perspektivat e Popullsisë Globale” të publikuar në faqen zyrtare të organizatës në internet, Maqedonia zë vendin e 29-të në grupin e 43 shteteve që përballen me ulje të numrit të popullatës.

okb-351173Në fund të shekullit 21-të Republika e Maqedonisë do të ketë një milion e gjysmë banorë, ose gjysmë milioni më pak nga që ka sot, thuhet në raportin e fundit të Kombeve të Bashkuara për “Perspektivat e Popullsisë Globale”.

Sipas raportit në fjalë të publikuar në faqen zyrtare të organizatës në internet, Maqedonia zë vendin e 29-të në grupin e 43 shteteve që përballen me ulje të numrit të popullatës.

Maqedonia në vitin 1950 ka pasur 1.2 milionë banorë, thuhet në raport në të cilin shifra e vitit 2015 është 2.078.000, numër ky që sipas vlerësimeve do të mbetet i pandryshueshëm edhe në vitin 2030.

Sipas raportit, në vitin 2050 numri i popullsisë në Maqedoni do të jetë më pak për 141.000 banorë, ose 6.8 për qind më pak se në vitin 2015. Në bazë të këtyre të dhënave në vitin 2050 Maqedonia do të ketë 1.9 milion banorë, ndërsa në fund të shekullit do të ketë vetëm 1.480.000.

Sa i përket vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, gati se të gjithë përballen me situatë të njëjtë.

Raporti i Kombeve të Bashkuara për “Perspektivat e Popullsisë Globale” parashikon që numri i popullatës në Shqipëri nga 2.89 milion banorë, në vitin 2100 të reduktohet në 1.75 milion.

BeH në vitin 2100 do të ketë 1.91 milionë banorë, Kroacia, e cila tani ka 4.24 milionë banorë, në 2100 do të ketë vetëm 2.61 milionë.

Numri i popullsisë së Malit të Zi nga 626 mijë do të reduktohet në 437 mijë banorë.

Serbia që aktualisht ka 8.58 milionë banorë, në fund të shekullit do të ketë 5.33 milionë, thuhet në raportin e Kombeve të Bashkuara.

Shekulli Agency