Me vizitën në Kili, presidenti turk Erdogan fillon turnin në Amerikën Jugore

Erdogan tha se të dy vendet janë në rritje të shpejtë dhe se reputacioni i tyre në skenën ndërkombëtare është në rritje

erdogan-533228977Kërkesa për mallërat industriale turke është gjithnjë në rritje, tha presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, gjatë vizitës në Kili, duke shtuar se shkëmbimi tregtar mes dy vendeve do të rritet edhe mëtej, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Turqisë, i cili ndodhet në turne në vendet e Amerikës Latine, në të cilat beson se do të hapë shumë dyer të rëndësishme strategjike për vendin e tij, ka mbajtur fjalim në forumin e biznesit kiliano-turk në Santiago.

Erdogan tha se të dy vendet janë në rritje të shpejtë dhe se reputacioni i tyre në skenën ndërkombëtare është në rritje.

“Zhvillimet pozitive duhet të pasqyrohen në marrëdhëniet tona dypalëshe”, tha Erdogan, duke shtuar: “Konsideroj se kjo vizitë ka ardhur në kohën e duhur. Ne mund të shohim se njerëzit e dy vendeve tona, të cilët jetojnë larg nga njëri-tjetri, takohen dhe flasin për çështje të ndryshme kulturore. Pranimi i serialeve televizive turke në Kili na jep kënaqësi”.

Pjesa më e madhe e prodhimit botëror të litiumit, e cila është përbërës i rëndësishëm për bateri dhe makina elektrike, vjen nga Kili. Në këtë vend të Amerikës Jugore prodhohen edhe sasi të mëdha të bakrit.

Presidenti turk njoftoi disa përmirësime në lidhjen e rrugëve ajrore mes Stambollit dhe Saintiagos. Prandaj, në të ardhmen e afërt mund të pritet që kompania ajrore turke Turkish Airllines të nisë fluturime të vazhdueshme mes të dy qyteteve. Numri i turistëve kilianë që çdo vit vizitojnë Turqinë është rreth 17 mijë sosh, kurse me fillimin e fluturimeve të rregullta ky numër mund të rritet.

Kili është vendi i parë i Amerikës së Jugut i cili në vitin 2011 me Turqinë nënshkroi marrëveshje të tregtisë së lirë. Vitin e kaluar, këmbimi tregtar arriti në rreth 417 milionë dollarë, që paraqet rënie në krahasim me vitin 2014, kur shkëmbimi u regjistrua në 562 milionë dollarë.

Sipas vlerësimit të presidentit turk, për një kohë shumë të shkurtër shkëmbimi tregtarë mes Kilit dhe Turqisë mund të kalojë një miliard dollarë.

“Ajo që ka rëndësi është se ne i besojmë njëri-tjetrit”, tha Erdogan.

Recep Tayyip Erdogan do të vazhdojë sot me turnin e tij në vendet e Amerikës së Jugut. Pas Kilit do të vizitojë Perunë, ndërsa të mërkurën është planifikuar të qëndrojë në Ekuador.

Shekulli Agency