Mbështetje për Turqinë në luftën kundër terrorizmit

Presidenti i Madagaskarit, Hery Rajaonarimampianina, duke vënë në dukje se janë në dijeni për luftën që Turqia ndërmerr kundër terrorizmit tha se “Ne ndodhemi pranë jush teksa luftoni kundër armiqve”, raporton  (AA).

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti i Madagaskarit Hery Rajaonarimampianina pas takimit kokë më kokë dhe mes delegacioneve në rezidencën presidenciale kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në fjalimin e tij Rajaonarimampianina, duke vënë në pah delegacionin e ardhur në vend bashkë me presidentin Erdoğan, ka theksuar se ky delegacion i madh tregon rëndësinë që autoritetet turke i kushtojnë vizitës.

Pasi është shprehur se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Madagaskarit janë zhvilluar edhe më shumë pas hapjes së ambasadës turke në Antananarivo dhe pas fillimit të fluturimeve të drejtpërdrejta në vend të kompanisë ajrore Turkish Airlines, Rajaonarimampianina ka theksuar se “Prania e presidentit të nderuar këtu forcon edhe më shumë marrëdhëniet tona. Ne jemi të vetëdijshëm se nëse në botë nuk ka paqe dhe siguri nuk ka as edhe zhvillim social dhe ekonomik”.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare i kushtojnë rëndësi politikës “fito fito”, ka shtuar Rajaonarimampianina, duke theksuar më tej se “Në vendin tonë mund të zbatojmë modelin ndërto-menaxho-dorëzo. Vërejmë se në Turqi ka shembuj të mirë të kësaj”.

Ndër të tjera ai ka theksuar se janë hedhur hapa që do të forcojnë marrëdhëniet në fushën e aviacionit, turizmit dhe transportit, ku dhe në takime kanë vendosur edhe për hedhjen e hapave të rëndësishëm në fushën e energjisë dhe të arsimit.

“I kemi dëgjuar dhe jemi në dijeni të ngjarjeve të ndodhura kohët e fundit në Turqi. Populli ynë është pranë popullit turk. Ne ndodhemi pranë jush teksa luftoni kundër armiqve”, ka shtuar më tej ai. Rajaonarimampianina, pyetjes nëse do të mbyllen shkollat e FETÖ-s në vend i është përgjigjur se “Duhet të luftojmë me terrorizmin kudo që ndodhet. Edhe nëse nuk ndikohemi drejtpërdrejt nga terrorizmi përsëri ne duhet të luftojmë dhe ne këtë duhet ta bëjmë me mençuri”.

Shekulli Agency