Lavrov: Marrëveshja për Halepin, më e lehtë me Turqinë sesa me SHBA-në

Shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, deklaroi të mërkurën në lidhje me Halepin se arritja e konsensusit me Turqinë ishte një sfidë më e lehtë sesa me Shtetet e Bashkuara të Amerikës…

Shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, deklaroi të mërkurën në lidhje me Halepin se arritja e konsensusit me Turqinë ishte një sfidë më e lehtë sesa me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurse Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi se me Turqinë është rënë dakord gjithashtu për dërgimin e ndihmave humanitare në Halep.

Por evakuimi i civilëve u ndërpre mëngjesin e të mërkurës si pasojë e rifillimit të luftimeve, edhe pse një armëpushim i shumëkërkuar u arrit të martën në mbrëmje.

Të shtëna artilerie dhe predha mortajash janë lëshuar pothuajse gjatë tërë ditës së sotme nga vija e frontit të forcave të regjimit në drejtim të zonës opozitare.

Edhe pse Sergey Lavrov theksoi që situata aktuale është pasojë e rezistencës së disa grupeve opozitare të armatosura dhe se është i bindur që problemi do të zgjidhet brenda 2-3 ditëve, palët vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën.

Sipas burimeve opozitare, milicia shiite, mbështetur nga Irani, ka nisur të parashtrojë kushte të reja për armëpushimin.

Kushti më i rëndësishëm mes tyre është evakuimi i njëkohshëm i milicëve iranianë në vendbanimin e quajtur Fua, i cili mbahet nën rrethim nga grupet opozitare.

Ndërsa një burim pranë regjimit të Esadit ka nënvizuar se Damasku ka kundërshtime në lidhje me numrin e personave, që do të evakuohen, madje kërkon edhe emrat e tyre.

Armëpushimi në Halep parashikon si etapë të parë evakuimin e të plagosurve nga zona, pastaj atë të civilëve dhe në fund të grupeve opozitare të armatosura.

Madje gjatë orëve të parë të armëpushimi u realizua edhe evakuimi i një pjesë të civilëve.

Burimet ruse njoftuan se rreth 6 mijë civilë janë larguar në 24 orët e fundit nga zonat nën kontrollin e opozitarëve, ndërkohë që 366 opozitarë kanë dorëzuar armët dhe braktisur Halepin.

/trtshqip/

Shekulli Agency