Kosovë, policia parandalon një incident mes protestuesve opozitarë dhe përkrahësve të Thaçit

Para fillimit të protestës në ora 11, ka ndodhur një përleshje verbale mes protestuesve opozitarë që po kundërshtojnë zgjedhjen e Thaçit për president të Kosovës dhe simpatizantëve të PDK-së

protesta-koso-5444Mijëra qytetarë po marrin pjesë në thirrjen e opozitës kosovare, Lëvizjes Vetëvendosje, partisë Nisma për Kosovën, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për të protestuar kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit për president të shtetit dhe për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Para fillimit të protestës në ora 11, ka ndodhur një përleshje verbale mes protestuesve opozitarë që po kundërshtojnë zgjedhjen e Hashim Thaçit për president të ri të Kosovës dhe simpatizantëve të PDK-së që kishin ardhur për të festuar në Prishtinë.

Pranë selisë të Partisë Demokratike të Kosovës, janë afruar dy grupet njëri pranë tjetrit dhe kanë filluar ofendimet e ndërsjella, por falë intervenimit të shpejtë të Policisë së Kosovës dhe aktivistëve opozitarë që mbanin rendin e grupit të tyre, si dhe prijësve të Rinisë Demokratike të Kosovës, dy grupet janë larguar nga njëri tjetri dhe janë shpërndarë, ndërsa policia ka formuar kordonin që ndan dy grupet.

Me fillimin e protestës, turmës së tubuar iu drejtua nënkryetari i Vetëvendosjes Driton Çaushi i cili tha se kanë obligim që të mos i tradhtojnë fatin e gjeneratave të cilat do të vijnë.

“Unë ju ftoj të qëndrojmë këtu deri në realizimin e qëllimeve tona, nuk do të ketë qeveri antikombëtare”, tha ai.

Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, nga ana e tij tha se qytetarët e Kosovës nuk meritojnë trajtimin të cilin e kanë nga qeveria.

Ai akuzoi qeverinë se ka shkelur Kushtetutën, për çka kërkoi dorëheqjen e saj dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

“Të vetmit ata të cilët duhet të përcaktojnë se kush duhet të qeverisë me vendin janë qytetarët nëpërmjet zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të pamanipulueshme”, tha Krasniqi.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj para masës së tubuar iu bëri thirrje deputetëve brenda Parlamentit të mos votojnë Thaçin për president.

“U bëjmë thirrje deputetëve të mos votojnë, dhe ti mos i bëjnë një dëm kaq të madh Kosovës, dhe të mos e votojnë Thaçin sepse ai është i shkarkuar nga populli”, tha Haradinaj, sipas të cilit, kjo nuk do ti shkaktonte fare dëm Kosovës.

Pas fjalimeve të liderëve partiak të opozitës, protestuesit nga sheshi “Skënderbeu” janë zhvendosur në anën tjetër, në sheshin “Adem Jashari” ku është edhe hyrja tjetër e Kuvendit të Kosovës, ku po presin epilogun e votimit të sotëm.

Shekulli Agency