Kosova dhe SHBA-të nënshkruajnë marrëveshje për ekstradim

Presidentja Jahjaga deklaroi se marrëveshja për ekstradim shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-SHBA

ati-shba-553Presidentja e Kosovës në largim Atifete Jahjaga dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Greg Delawie, nënshkruan sot marrëveshjen për ekstradim të ndërsjellë të personave që ndiqen penalisht, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, kryetyarja e gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë.

Presidentja Jahjaga deklaroi se marrëveshja për ekstradim përveç që shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-SHBA, nënvizon përkushtimin e Kosovës për sundim të rendit dhe ligjit.

“Me këtë marrëveshje që u nënshkrua sot mes SHBA-ve dhe Kosovës, përveç që forcohet partneriteti dhe përkushtimi për rendin dhe ligjin, dy shtetet garantojnë se kriminelët që paraqesin rrezik për shtetet tona do të ndiqen dhe do të nxirren para drejtësisë. Republika e Kosovës do të vazhdojë të vihet në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, tha Jahjaga.

Presidentja tha se Kosova do të jetë partnere e besueshme e SHBA-ve duke shprehur kënaqësinë e saj që marrëveshja është bërë gjatë mandatit sa ka qenë presidente.

Ambasadori amerikan Greg Delawie nga ana e tij tha se marrëveshja e nënshkruar është mjet efikas për vënien e kriminelëve para drejtësisë.

“Kjo marrëveshje mundëson ti nxjerrim kriminelët para drejtësisë. Marrëveshja do të kontribuojë për sigurinë rajonale. E njëjta paraqet mekanizëm i cili do të rrisë kredibilitetin e Kosovës, ndërsa kredibiliteti rritet kur luftohet korrupsioni”, tha ambasadori amerikan.

Gjatë ceremonisë u tha se mungesa e një marrëveshjeje ka qenë pengesë për përfundimin e suksesshëm të disa rasteve. Ambasador Delawie në fund lavdëroi punën e deritanishme të presidentes Jahjaga duke e cilësuar atë si promotore të Kosovës në botë.

Shekulli Agency