“Konsensusi i ri politik pas puçit në Turqi”

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë Ibrahim Kalın thotë se tentativa për grusht shteti nga Organizata Terroriste FETO ishte një natë e errët në historinë e Republikës së Turqisë

kalin-35447264Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë Ibrahim Kalın thotë se tentativa për grusht shteti nga Organizata Terroriste FETO ishte një natë e errët në historinë e Republikës së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Rezistenca e guximshme dhe sakrifica e popullit turk në të gjitha sferat e jetës, megjithatë, e ktheu atë në një ditë të ndritshme. Pas tentativës, ka një konsensus shoqëror dhe politik në zhvillim, konsensus ky që është jetësor për fuqinë strukturore të demokracisë turke”, thekson ai.

Kalın, në shkrimin me titull “Konsensusi i ri politik pas puçit në Turqi” për gazetën “Daily Sabah” është shprehur se konsensusi i ri pas puçit në Turqi ka të bëjë me mbrojtjen e demokracisë, lirinë dhe shtetin e së drejtës kundër të gjitha kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme. Duke e theksuar konsolidimin e miliona njerëzve me prapavi të ndryshme dhe nga qarqe të ndryshme politike që dolën në rrugë për të penguar grusht shtetin më 15 korrik, Kalın shkruan se të gjitha partitë politike kishin qëndrim parimor.

“Më 25 korrik, Presidenti Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi një takim me kryetarët e opozitës nga Partia Republikane Popullore (CHP) dhe Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP), Kemal Kılıçdaroğlu dhe Devlet Bahçeli, për të diskutuar në lidhje me tentativën për grusht shteti dhe procesin pas tij. Më 26 korrik, Kılıçdaroğlu tha se Fethullah Gülen, protagonisiti pas grusht shtetit, duhet të ekstradohet në Turqi. Bahçeli dhe të tjerë i bënë jehonë thirrjes së tij. Kërkesa për ekstradimin e Gülenit është mbështetur nga shumica e opinionit në Turqi, partive politike dhe organizatave joqeveritare me këndvështrime të ndryshme politike”, shkruan më tej Kalın.

Në shkrimin e tij, Kalın më tej u bën thirrje SHBA-ve dhe Evropës që mos ta shpërfillin këtë konsensus e mos të jenë nënvlerësues ndaj tij, duke thënë se një gjë e tillë nga SHBA-të dhe Evropa do të ishte gabim i madh.

Ndërkaq, duke theksuar se shumica e njerëzve në Turqi kanë përshtypjen se SHBA-të po e strehojnë Gülenin dhe në këtë mënyrë po e lënë atë të keqpërdorë sistemin ligjor amerikan në favor të tij, Kalın shkruan se “Ne jemi të bindur se qeveria amerikane do të bashkëpunojë me Ankaranë mbi ekstradimin e Gülenit. Gülen është kërcënim për sigurinë kombëtare në Turqi dhe një kriminel i rrezikshëm për SHBA-të. Tashmë ka një numër hetimesh në shkollat e Gülenit, për mashtrim me viza dhe larje parash. Nëse SHBA-të e lejojnë Gülenin ta përdorë sistemin amerikan në një mënyrë apo tjetër, shumë njerëz do ta vlerësojnë këtë si mbështetje për të, kurs veprimesh ky që edhe më tej do t’i rrisë ndjenjat anti-amerikane në Turqi”.

Më tej Kalın shprehet se shumica e evropianëve dhe amerikanëve duket se nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht madhësinë dhe peshën e asaj që ndodhi më 15 korrik dhe se si njerëzit luftuan trimërisht kundër puçit të FETO-s. “Në vend se ta mbështesin Turqinë në luftën e saj kundër gylenistëve, zyrtarët e BE-së janë të zënë duke i ligjëruar Turqisë për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Madje disa shkojnë aq larg, sa na fajësojnë se ne vetë e kemi realizuar grushtin e shtetit”, shkruan Kalın në shenjë kritike drejtuar BE-së dhe SHBA-ve.

Në shkrimin e tij, Kalın më tej thotë: “Ka një ndjenjë të gjithëpranishme befasie dhe zhgënjim se aleatët perëndimorë të Turqisë e kanë nënvlerësuar intensitetin e grusht shtetit, derisa ne humbëm shumë civilë të pafajshëm dhe shmangëm një kërcënim serioz për demokracinë tonë”.

“Vendet perëndimore dënojnë grusht shtetin, por tërhiqen dhe nuk thonë asgjë në lidhje me puçistët. Është turp që asnjë nga krerët shteteve të BE-së, ministër apo zyrtar i lartë, ende nuk e ka vizituar Turqinë që nga 15 korriku. Infiltrimi i gylenistëve në shtetin turk ka shkaktuar dëm të madh dhe jostabilitet, duke rezultuar me grushtin e shtetit të 15 korrikut. Sikurse PKK-ja, edhe gylenistët abuzojnë sistemin ligjor dhe politik në Evropë dhe SHBA për mbrojtjen e tyre. Kjo duhet të marrë fund. Tani, njerëzit duan përfundim dhe drejtësi”, shkruan mes tjerash zëdhënësi i Presidencës turke.

Në lidhje me pastrimin e anëtarëve të FETO-s nga institucionet, Kalın shkruan se hapi i tillë nuk ka aspak dallim nga ajo që ndodhi gjatë bashkimit të Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore në vitin 1990 me procesin e famshëm “Einigungsvertrag”.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, rreth 500.000 nëpunës civilë nga Gjermania Lindore u shkarkuan ose u pezulluan nga postet e tyre. Pas gjashtë muajsh, shumica e tyre u pushuan nga puna. Menjëherë pas bashkimit, të gjithë gjeneralët dhe admiralët në ushtrinë e Gjermanisë Lindore që numëronte 88.000 trupa u dëbuan. Vetëm një numër i vogël i ushtarëve të rangut të ulët u lejuan në ushtrinë e re gjermane. Përveç shërbyesve civilë dhe ushtarëve, shumë akademikë, mësues, diplomatë dhe gazetarë po ashtu u pushuan nga shteti gjerman nën akuzat për lidhje me regjimin e vjetër në Gjermaninë Lindore”, thotë Kalın.

Sipas tij, autoritetet gjermane i ndërmorrën këto masa ekstreme për të siguruar një tranzicion të qetë drejt një Gjermanie të bashkuar. “Turqia sapo ndaloi një grusht shteti të përgjakshëm dhe po përpiqet të shërohet nga pasojat e tij vdekjeprurëse. Ata që me të vërtetë kujdesen për demokracinë në Turqi, duhet ta mbështesin luftën e vendit kundër puçistëve potencialë dhe anëtarëve të kultit gülenist”, thekson Kalın.

Në fund të shkrimit, Kalın e rithekson konsensusin mbarëkombëtar gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik, duke thënë se ky konsensus dhe roli i FETO-s në të është burim fuqie dhe ripërtëritjeje për demokracinë e Turqisë.

Ai shkruan mes tjerash se qeveria, në konsultim me partitë opozitare, po sjellë reforma strukturore për të parandaluar çdo tentativë të ardhshme për grusht shteti. “Këto masa do të krijojnë transparencë dhe llogaridhënie, që janë elemente themelore të demokracisë dhe qeverisjes në Turqi. Kjo është mënyra për të rrënjosur besimin në shtetin dhe ushtrinë dhe për të siguruar që krime të tilla si tentativa e 15 korrikut të mos përsëriten”, shkruan në fund Kalın.

Shekulli Agency