Johannes Hahn: Maqedonia është në një situatë të vështirë strategjike

Hahn apeloi që liderët politik të angazhohen në zgjidhjen e krizës politike, sepse në Evropë është shfaqur edhe një krizë e migrimit, e cila poashtu mund të ndikojë në perspektivën euro-atlantike.

Johannes-Hahn-655544Eurokomisari për negociata dhe zgjerim, Johannes Hahn shprehu bindje se zgjedhjet e parashikuara për 24 prill të këtij viti mund të mbahen nëse të gjitha palët angazhohen në përmbushjen e Marrëveshjes së Përzhinos, e cila ka për qëllim tejkalimin e krizës politike në vend.

“Sot kuptova se nuk është e mundur të arrihet një marrëveshje në atë mënyrë që të gjithë liderët e partive politike të jenë të gatshëm për zgjedhjet e prillit, ashtu siç ishte dakorduar në marrëveshje. Unë jam i bindur se zgjedhjet e parashikuar për 24 prill mund të mbahen nëse të gjitha palët angazhohen në përmbushjen e Marrëveshjes së Përzhinos, sepse kjo mbulon shumë elemente dhe pika të cilat janë të rëndësishme për të ardhmen perspektive të vendit”, deklaroi eurokomisari Hahn.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian fuqishëm do të angazhohet në mbikëqyrjen e zgjedhjeve të prillit përmes përfaqësuesve dhe institucioneve evropiane, por shtoi se tani mbetet çdo gjë hipotetike se a do të plotësohen kushtet e Marrëveshjes së Përzhinos.

Hahn apeloi që liderët politik të angazhohen në zgjidhjen e krizës politike në vend, sepse siç tha ai, përveç kësaj krize në Evropë është shfaqur edhe një krizë serioze e migrimit, e cila poashtu mund të ndikojë në situatën ekonomike dhe perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë.

“Duhet t’iu kujtuj se vendi është në një situatë të vështirë strategjike, ne nuk duhet t’i lëmë anash të gjitha ato diskutime për zgjedhjet e reja, mirëpo është shfaqur edhe një krizë serioze e migrimit në Evropë. Atë që pamë në vitin 2015 do të vazhdojë të ndodhë edhe në vitin 2016, ndërsa tendenca për mbylljen e kufijve mund të ketë efekt të shpejtë edhe mbi situatën këtu në Maqedoni. Kjo është ajo që unë besoj se qeveria, liderët politik dhe kuvendi duhet t’i kushtojnë vëmendje kësaj situate të rëndë, pasi që bëhet fjalë edhe për situatën ekonomike dhe për perspektivën euro-atlantike”, deklaroi eurokomisari Hahn.

Kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se nuk ka asnjë pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill të këtij viti, ndërsa shtoi se pengesë e vetme për mbajtjen e zgjedhjeve është lideri i LSDM.

“Eurokomisari Hahn na informoi se nuk ka asnjë pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill. Poashtu eurokomisari Hahn na informoi se OSBE ka raportuar se nuk ka pengesa për mbajtjen e zgjedhjeve. Përveç kësaj Hahn na tha se edhe ODIHR e ka informuar se nuk ka pengesa dhe ende ka kohë për tu përgatitur për zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill. Vetëm një person përpiqet të vazhdojë krizën në vend dhe ta thellojë, sepse me sjelljen e tij nuk mund të zgjidhet, por vetëm thellohet kriza”, deklaroi Gruevski.

Lideri i partisë shqiptare në pozitë, BDI-së, Ali Ahmeti, tha se partia që drejton ai kërkon që të respektohet Marrëveshja e Përzhinos dhe interesat e shtetit të vendosen mbi interesat partiake.

“Tre parti politike u dakorduan për marrëveshjen dhe për të respektuar tërësisht marrëveshja, por njëra nga partitë nuk pajtohet me datën. Në parim mendojmë që për gjëra të tilla nevojitet koncensus. Sigurisht që në ditën në vijim do të vazhdohet të negociohet dhe të bisedohet për të arritur pajtueshmëri”, deklaroi lideri Ahmeti.

Lideri i LSDM, Zoran Zaev, tha se zgjedhjet e prillit nuk do të pranohen nga partia e tij nëse nuk rregullohen në kohë reformat në mediume dhe të pastrohet lista e votuesve.

“Nëse mbahen zgjedhjet më 24 prill pa plotësimin e këtyre kushteve, ne në zgjedhje të tilla nuk do të marrim pjesë, mirëpo do të vazhojmë të luftojmë për kushte demokratike për mbajtjen e zgejdhjeve. Do të vazhdojmë të luftojmë për një Maqedoni të lirë dhe demokratike”, deklaroi lideri Zaev, duke shtuar se dështuan negociatat e ditës së sotme.

Shekulli Agency