Hyri në fuqi marrëveshja Turqi-BE për refugjatët

Të dielën ka hyrë në fuqi marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë dhe që do të sjellë një zgjidhje rrënjësore në krizën e refugjatëve.

ani-turPo fillon zbatimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë me qëllim parandalimin e vdekjeve në Detin Egje.

Sipas marrëveshjes në fjalë të gjithë migrantët që mbërrijnë në ishujt grekë do të regjistrohen sipas rregullave dhe do të procedohet çdo kërkesë e tyre për azil.

Ata që nuk aplikojnë për azil dhe ata, kërkesa e të cilëve është e pabazë ose që u refuzohet, do të rikthehen në Turqi. Rikthimi i kësaj kategorie migrantësh do të fillojë të zbatohet në 4 prill.

Në këtë datë do të fillojë edhe migrimi i rregullt nga Turqia në drejtim të Bashkimit Evropian. Të gjitha shpenzimet e rikthimit do të përballohen nga Bashkimi Evropian.

Për çdo migrant sirian që do të dërgohet nga ishujt grekë në Turqi, një migrant i strehuar në Turqi do të sistemohet në vendet e Bashkimit Evropian.

Vetëm se numri i migrantëve që do të dërgohen nga Turqia në Bashkimin Evropian është i kufizuar me 72 mijë. Në rast të tejkalimit të kësaj shifre mekanizmi mund të pezullohet.

Një pikë tjetër e rëndësishme e marrëveshjes është edhe ndihma materiale që do të përdoret për të strehuarit në Turqi.

Pas shfrytëzimit të fondit të BE-së prej 3 miliardë euro, fond që do të përdoret për përmirësimin e kushteve të migrantëve sirianë, BE-ja do të vihet në lëvizje për të siguruar një fond shtesë, i cili pritet që të kapë shifrën e 3 miliardë eurove të tjera deri në fund të 2018-s.

Ndërkohë pritet që në fund të qershorit të hyjë në fuqi edhe liberalizimi i vizave për qytetarët turq. Në rast se Turqia do të hedhë hapat e duhur në këtë drejtim në fund të prillit Komisioni Evropian do të deklarojë edhe vlerësimin për këtë çështje.

/TRT/

Shekulli Agency