Erdogan-Trump bisedë telefonike, në fokus aleanca mes dy shteteve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Gjatë bisedës Erdoğan ka vënë theksin tek rëndësia e luftës kundër organizatës terroriste PKK, si dhe ka theksuar se SHBA-ja nuk duhet të ndihmojë PYD-në dhe YPG-në në Siri, raporton (AA).

Sipas informacioneve të marra nga burimet e Presidencës së Turqisë, thuhet se biseda mes dy liderëve ka kaluar në një atmosferë shumë pozitive dhe të sinqertë.

Biseda ka zgjatur 45 minuta, ndërsa vëmendje e veçantë gjatë bisedës i është kushtuar aleancës dhe bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve. Ndërkohë tema të tjera të biseduara kanë qenë, zona e sigurisë në Siri, kriza e refugjatëve dhe lufta kundër terrorizmit.

Presidenti i SHBA-së, Trump, ka theksuar se vendi i tij kërkon të çojë përpara marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe të rrisë bashkëpunimin për çështje rajonale.

Presidenti i Turqisë pasi i ka uruar punë të mbarë në detyrën e tij Trumpit, duke vënë theksin tek tentativa për grusht shteti më 15 korrik, ka thënë se Turqia kërkon që ai të jetë pranë tyre në luftën kundër organizatës terroriste FETÖ.

Dy liderët kanë rënë dakord për të vepruar bashkë në Al Bab dhe Rakka. Ndërsa janë diskutuar edhe hapat që mund të hidhen për rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Në bisedë është theksuar se Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, vizitën e parë jashtë vendit do ta zhvillojë nesër në Turqi. Në kuadër të kësaj vizite ai do të marrë informacion dhe do të konsultohet për çështje që kanë të bëjnë me organizatat terroriste PYD dhe FETÖ, etj.

Dy presidentët kanë rënë dakord që të takohen sa më parë.

Shekulli Agency