Erdogan për “Al-Jazeera”: S’ka mëshirë për FETO, janë tradhtarë

Në një intervistë ekskluzive të shtunën për televizionin panarab me seli në Katar, “Al-Jazeera”, Erdogan iu përgjigj pyetjeve në lidhje me tentativën e FETO-s për grusht shteti në Turqi…

erdjpgPresidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se organizata terroriste guleniste (FETO) synon të dominojë jo vetëm në vendin e tij, por edhe në shtetet afrikane.

Në një intervistë ekskluzive të shtunën për televizionin panarab me seli në Katar, “Al-Jazeera”, Erdogan iu përgjigj pyetjeve në lidhje me tentativën e FETO-s për grusht shteti në Turqi.

Kreu i shtetit turk theksoi se FETO nuk është një bashkësi fetare, por një organizatë terroriste që përpiqet të marrë nën kontroll shtetin dhe ekonominë.

“Të bësh lëshime në favor të zullumqarëve është tradhtia më e madhe, që mund të bëhet ndaj të shtypurve. Nuk do të bëjmë asnjë lëshim për puçistët. Ata janë tradhtarë. Nuk do të tregojmë mëshirë për ata”, u shpreh ai.

Erdogan sqaroi gjithashtu se hetimet vazhdojnë dhe se kjo do të jetë një punë me terma kohorë afatgjatë.

“Do t’i shkulim me rrënjë këta tradhtarë. Shtetin do ta ndërtojmë nga zeroja. Do të pastrojmë forcat tona të sigurisë. Mbështesim punimet në këtë drejtim”, tha lideri turk.

Sa i përket pretendimeve se ai vetë, pas tentativës së 15 korrikut për grusht shteti, ka fituar kaq shumë pushtet, saqë mund ta qeverisë vendin si të ketë dëshirë; kreu i shtetit turk u prononcua me këto fjalë: “Këto nuk i pranoj kurrë. Unë s’mund të përdor një të drejtë, që nuk ma ka dhënë populli turk. Nuk gëzoj kurrsesi të drejtën për të përdorur një kompetencë, që nuk ma njeh kushtetuta. Ky është karakteri i Tayyip Erdoganit. Kështu është dhe kështu dua që ta dijë e gjithë bota.”

Më tej, Presidenti Erdogan kritikoi qëndrimin e Perëndimit në lidhje me tentativën për grusht shteti në Turqi.

“Perëndimi nuk na tregoi se është kundër grushtit të shtetit. Heshtja e tyre nuk mund të falet. Na thanë se ‘po shkarkoni nga detyra shumë nëpunës dhe po arrestoni ushtarakët e gjykatësit’. Ju nuk keni të drejtë të na kritikoni neve dhe sistemin e vendit tonë pa kuptuar njëherë mirë se çfarë po ndodh në Turqi. Këta persona nuk janë të sinqertë. Erdhi shefi i Shtatmadhorisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Joseph Dunford) dhe i treguam kompleksin e Kuvendit tonë. Kush e bombardoi atë? Anëtarët e FETO-s”, vlerësoi ai.

Erdogan theksoi edhe një tjetër herë se Perëndimi s’ka të drejtë që të kritikojë Turqinë.

“Unë ju them: ‘Mbani vendin dhe mos i kaloni kufijtë’. Bëhuni të drejtë dhe koherentë. Grushti i shtetit kundër një qeverie të zgjedhur nga populli është i pafalshëm. Ata që heshtin ndaj këtij puçi ushtarak, preferojnë sistemin totalitar në vend të demokracisë. E puth në ballë popullin tim, që prishi këto plane”, shtoi presidenti turk.

Administrata e Uashingtonit – vijoi Erdogan – kërkon dokumente për ekstradimin e kreut terrorist të FETO-s, por harron që prova më e madhe është përpjekja e puçistëve për të mundësuar një bisedë qoftë telefonike apo direkte ndërmjet Fethullah Gulenit dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë turke, Hulusi Akar, pasi ky i fundit ishte marrë peng ditën e tentativës për grusht shteti.

Lideri turk siguroi më tej se homologu i tij rus, Vladimir Putin, i ka telefonuar herët në mëngjesin e 16 korrikut, pra vetëm disa orë pas tentativë për grusht shteti, duke i përcjellë ngushëllimet për martirët e demokracisë dhe mbështetjen e vendit të tij.

Presidenti nënvizoi gjithashtu se ditën e martë (9 gusht 2016) do të realizojë një vizitë njëditore në Rusi, me pjesëmarrjen e një delegacioni të gjerë biznesmenësh.

Në fund, ai u ndal edhe mbi marrëveshjen Turqi-BE për refugjatët duke rikujtuar përsëri se Bashkimi Evropian nuk i mban premtimet.

“Duhet të implementohet marrëveshja, që parashikon kthimin e refugjatëve! Që Bashkimi Evropian të mund t’i kërkojë Turqisë zbatimin e angazhimeve të saj, duhet fillimisht të bëjë detyrat që i takojnë. BE-ja s’ka bërë asnjë çap në lidhje me këtë çështje deri më tani. Në vendin tonë ka aktualisht 3 milionë sirianë dhe irakianë; të gjithë këta janë refugjatë. Bashkimi Evropian nuk e ka një problem të tillë”, përfundoi Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

/trtshqip/

Shekulli Agency