Erdogan: “Nuk mendojmë kurrë për një Lindje të Mesme të fragmentuar”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se “Ndjeshmëria mes miqve afrikanë rritet çdo ditë e më shumë pasi ato i njohin në thellësi qëllimet e kësaj organizate (FETÖ) dhe janë kundër retorikave të shtrembëruara të saj. Kësaj organizate, që janë tufa vrasësish dhe e cila është kapur në flagrancë natën e 15 korrikut nuk i ka mbetur më mundësi që të fshihet prapa shprehjeve ‘dialog, shërbim, arsim, tregti’. Shpresojmë se me mbështetjen e Fondacionit Maarif, TIKA-s, bursave të Turqisë dhe institucioneve të tjera vullnetare do ta heqim këtë organizatë si një kërcënim për vendin, popullin tonë dhe gjithashtu për miqtë tanë”.

Presidenti Erdoğan ka mbajtur një konferencë për shtyp në aeroportin Atatürk të Stambollit para nisjes së tij në Tanzani, ku është qëndrimi i parë në kuadër të vizitave zyrtare që do të kryejë në vendet e Afrikës Lindore, si në Tanzani, Mozambik dhe Madagaskar.

“Nuk mendojmë kurrë për një Lindje të Mesme të fragmentuar”

Duke vënë në dukje se presidenti amerikan, Donald Trump, ka kryer shumë deklarata dhe se i ndjekin këto deklarata, Erdoğan tha se “Edhe ne po i ndjekim këto deklarata. Përtej urave, hekurudhave aktualisht ne mendojmë Lindjen e Mesme. Pra çfarë qëndrimi do të mbajë Trump në lidhje me Lindjen e Mesme? Sepse ai rajon atje vlon. Aktualisht kemi dëgjuar disa shprehje në lidhje me Lindjen e Mesme të cilat faktikisht janë shqetësuese. Për këtë arsye duhet të ulemi dhe të vlerësohen. Ne jemi për një Lindje të Mesme në respektim të integritetit territorial, nuk mendojmë kurrë për një Lindje të Mesme të fragmentuar dhe kjo nuk është e drejtë. Pikë së pari kjo do të ishte mosrespektim ndaj vetë popujve të Lindjes së Mesme. Në lidhje me këtë unë do të diskutoj gjatë një takimi që do të kryej me Trump, për të cilin unë ende nuk e di se kur do të përcaktohet kjo datë”.

“Vendi më i fuqishëm i Lindjes së Mesme dhe vendi përcaktues është Turqia. Unë mendoj se nuk do të ishte e saktë për botën dhe njerëzimin që të jepet një vendim duke rënë në një gabim historik, larg nga vërteta në lidhje me Lindjen e Mesme nga ata që nuk kanë asnjë lidhje as nga afër e as nga larg me Lindjen e Mesme”, është shprehur Erdoğan.

Duke vënë në dukje se Turqia që nga viti 2005 ka nisur procesin “viti i Afrikës”, Erdoğan është shprehur se “Bashkë me këtë proces kemi hapur 12 ambasada në Afrikë, ku aktualisht kemi arritur në 39 ambasada. Qëllimi ynë është që Turqia të ketë ambasada në të gjitha vendet e Afrikës dhe ta bëjmë Afrikën një kontinent që të vazhdojmë në mënyrë më intensive marrëdhëniet dypalëshe nëpërmjet këtyre ambasadave”.

Ai ka shtuar se gjatë vizitës së tij është i shoqëruar nga ministra, deputetë dhe biznesmenë.

“Më 23 janar do të kemi një takim me presidentin e Tanzanisë, John Pombe Joseph Magufuli në Darusselam. Bashkë me homologun tim të çmuar do të marrim pjesë në forumin që të organizohet nga sipërmarrësit tanë turq dhe të Tanzanisë. Pas vizitës në Tanzani në mbrëmjen e 23 janarit do të vizitoj kryeqytetin e Mozambikut, Maputo, ku më 24 janar do të realizojmë një takim me presidentin e Mozambikut, Filipe Jacinto Nyusi dhe gjithashtu takime mes delegacionesh. Kjo vizitë në Mozambik do të jetë vizita e parë nga vendi im në nivel presidencial. Shpresoj se në takimet në Tanzani, Mozambik dhe në vendet e tjera do të diskutojmë dhe do të vlerësojmë me presidentët e këtyre vendeve edhe çështjen e aktivitetet intensive të FETÖ-s në këto vende”, është shprehur Erdoğan.

Gjithashtu ka shtuar se pas takimeve në Mozambik, është planifikuar që mbrëmjen e 24 janarit të vizitojë kryeqytetin e Madagaskarit, Antananarivo, ku më 25 janar do të mbahet takimi me presidentin e Madagaskarit, Hery Rajaonarimampianina dhe gjithashtu mes delegacioneve.

“Me presidentin Hery Rajaonarimampianina jemi takuar për herë të fundit gjatë Samitit Botëror Humanitar të mbajtur në Stamboll. Gjithashtu kjo vizitë do të jetë e para në Madagaskar në nivel presidenti të kryer nga Turqia”, ka theksuar presidenti i Turqisë.

Duke pohuar se Turqia ka aktualisht 39 ambasada në vendet e Afrikës, Erdoğan ka theksuar: “Kemi dëshirën që me përpjekjet e Ministrisë së Jashtme në periudhën në vijim të hapim përfaqësi edhe në vendet e tjera të Afrikës. Gjatë vizitës do të diskutojmë për bashkëpunimin dhe do të shkëmbejmë pikëpamjet për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare në lidhje me fushat e përbashkëta. Në këtë vizitë gjithashtu me bashkëbiseduesit tanë do të bisedojmë për Fondacionin Maarif, institucionet e tjera dhe kryesisht për luftën kundër FETÖ-s, si dhe për hapat që mund të hedhin në lidhje me përpjekjet intensive për largimin e FETÖ-s nga rajonet gjeografike mike dhe vëlla”.

“Kemi nevojë për tregje të reja”

Ndër të tjera presidenti Erdoğan tha se gjatë vizitave është i shoqëruar nga biznesmenë të sektorëve të ndryshëm dhe se në forumet e biznesit nëpërmjet takimeve me biznesmenët lokalë që do të mbahen në të 3 vendet do të mundësojnë që të krijohen lidhje për biznesin.

Duke vënë në dukje besimin se forumet do të ofrojnë kontribute serioze në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare të cilat janë në zhvillim kohët e fundit me kontinentin, presidenti Erdoğan ndër të tjera është shprehur:
“Kemi nevojë për sipërmarrje të reja, biznese të reja të përbashkëta, tregje të reja sidomos në këtë proces që po kalon brenda vendit tonë. Në këtë kuadër në muajin nëntor në Stamboll zhvilluam Forumin e biznesit Turqi-Afrikë. Shpresoj qe gjatë vizitës do të kemi mundësinë për partneritete të reja. Ne asnjëherë nuk rendim për tu pasuruar nëpërmjet djersës së të tjerëve dhe që fitimi të jetë i njëanshëm. Ne do të përpiqemi që të vazhdojmë punimet tona sipas parimit fito-fito. Gjithashtu ne kemi edhe vendosmërinë që marrëdhëniet tona me vendet e Afrikës të bazohen mbi bazën e respektit. Ne jemi të kënaqur që vizitat në Afrikë janë kryer me kokën lart, si përfaqësues të një vendi i cili në të kaluarën e tij nuk ka njollë kolonizimi. Gjithashtu edhe afrikanët çdo herë na kanë pritur si vëllezër, si një mik i ardhur nga larg. Shpresojmë që këtë harmoni ta vazhdojmë edhe në bashkëpunimet në fushat e ndryshme, si në tregti, ekonomi, arsim, turizëm dhe energji”.

Shekulli Agency