Çelik: BE-ja nuk ka treguar mbështetjen e duhur për Turqinë

omer-celikBE-ja nuk arriti të tregojë për Turqinë mbështetjen që i duhej gjatë tentativës së dështuar të 15 korrikut për grusht shteti, deklaroi të shtunën një zyrtar i lartë turk ekskluzivisht për kanalin shtetëror “TRT Haber”.

“Duhet të jepej një mbështetje e fortë”, tha ministri turk për BE-në dhe kryenegociatori, Omer Çelik, në Bratislavë të Sllovakisë, gjatë një konference për shtyp pas takimit informal të ministrave të Jashtëm të Unionit.

Çelik tha se në shumë deklarata të lëshuara nga liderët e BE-së, ata e dënuan tentativën për grusht shteti me një fjali të vetme, ndërkohë që vunë pikëpyetje me nëntë fjali kredencialet demokratike të hapave të ndërmarra nga qeveria turke.

“Gjatë takimit kam shprehur qartë se qeveria jonë dhe populli turk u ndjenë të zhgënjyer”, siguroi ai.

Shefi i negociatave të Ankarasë me Brukselin tha se takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së ishte i “frytshëm”, ku ai gjeti shansin t’i informojë ata në lidhje me tentativën për grushti shteti.

“Në takim, informova kolegët e mi për mënyrën sesi kreu i shtetit tonë, kryeministri ynë dhe anëtarët e qeverisë sonë ishin të destinuar të vriteshin dhe se gjatë tentativës për grusht shteti Parlamenti ynë dhe Pallati Presidencial u bombarduan”, vijoi ai.

Omer Çelik tha se Turqia është një vend i qeverisur sipas sundimit të ligjit, ndërsa shtoi se ata mund t’i vrisnin ushtarët puçistë gjatë përleshjeve që pasuan tentativën për grusht shteti, por në vend të kësaj i kapën dhe i nxorën ata para drejtësisë.

Ai tha gjithashtu se Turqia nuk po kërkon hakmarrje, por drejtësi.

Ministri Çelik shpjegoi se më 15 korrik Turqia u përball me një tentativë puçiste, ndërkohë që më 24 gusht ushtria turke filloi në veri të Sirisë një operacion kundër organizatës terroriste DAESH.

“Nëse një vend tjetër do të përballej me të njëjtat kushte dhe rrethana si ato të Turqisë, ai do të kishte mbyllur kufijtë e tij dhe ndoshta do të kishte pezulluar konventat ndërkombëtare”, nënvizoi ai.

Por tani, shtoi Omer Çelik, unë po flas si një ministër turk me homologët e mi “rreth demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe për të çuar më tej bashkëpunimin tonë”.

Sa i përket të ardhmes së marrëveshjes Turqi-BE për refugjatët, Çelik tha se Ankaraja po zbaton marrëveshjen për arsye humanitare; por paralajmëroi se nuk do të jenë pjesë e ndonjë mekanizmi të ri nëse shtetasit turq nuk përfitojnë më parë liberalizimin e vizave.

BE-ja dhe Turqia nënshkruan më 18 mars të këtij viti një marrëveshje, që synon të dekurajojë emigracionin e parregullt përmes Egjeut duke marrë masa të rrepta kundër trafikantëve të qenieve njerëzore, si dhe përmirësimin e kushteve të rreth 3 milionë refugjatëve sirianë në Turqi.

Marrëveshja gjithashtu nxit përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Turqisë në BE dhe të udhëtimit pa viza për shtetasit turq brenda zonës së Shengenit, me kusht që Ankaraja të plotësojë 72 kriteret e vendosura nga BE-ja.

Ndërkohë që Turqia ka përmbushur shumicën e kritereve, dallimet mes Brukselit dhe Ankarasë në lidhje me legjislacionin turk kundër terrorizmit kanë penguar marrëveshjen e liberalizimit të vizave.

Sipas BE-së, Turqia duhet të rishikojë “ligjet dhe praktikat e saj kundër terrorizmit në përputhje me standardet evropiane”, në mënyrë që liberalizimi i vizave për qytetarët turq të hyjë në fuqi.

Por Omer Çelik përsëri e bëri të qartë se Turqia nuk mund të ndryshojë ligjet antiterrorizëm teksa vazhdon të sulmohet nga grupet terroriste.

“S’është e arsyeshme për të sjellë ndryshime në ligjet e terrorit ndërkohë që DAESH-i, PKK-ja dhe FETO-ja po na sulmojnë”, tha ai.

“Ne nuk mund të krijojmë dobësi në luftën kundër terrorizmit”, nënvizoi Çelik, por shtoi se një angazhim mund të bëhet “për ndryshimet që mund të bëhen në të ardhmen duke shkuar përpara, në konsultim me Këshillin e Evropës”.

Ministri turk shprehu dëshirën për vazhdimin e konsensusit dhe planit të veprimit të përbashkët BE-Turqi.

“Vendi im nuk është anëtar i Unionit. Por ne kemi qenë një fuqi evropiane gjatë gjithë historisë”, nënvizoi Omer Çelik duke shtuar se në 100 vitet e fundit Turqia është një demokraci evropiane.

Shekulli Agency