Çavusoglu: Stabiliteti i Sirisë për ne është shumë i rëndësishëm

Çavuşoğlu tha se takimet dypalëshe në lidhje me Sirinë ende vazhdojnë. Ai ka theksuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me Rusinë, Iranin dhe SHBA-në dhe sipas tij duhet të shikohet realiteti

cavusoglu-6655Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, duke theksuar se gjendja në Siri është shumë serioze ka deklaruar se “Duhet të shohim realitetin dhe nuk duhet ti mbyllim sytë. Përpjekja jonë duhet të jetë me kuptim dhe e vazhdueshme. Marrim vendim për armëpushim, askush nuk e respekton, ulemi përsëri dhe marrim një vendim të tillë, por shohim që përsëri nuk zbatohet. Në fund të fundit janë civilët ata që e pësojnë. Shumë civilë humbin jetën. Këtë herë i shikova të gjithë pak më seriozë. Në këtë pikpamje jam pak më me shpresë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu ka folur për gazetarët ndërkohë që po dilte nga Konferenca për Afganistanin, e organizuar në Bruksel.

Shefi i diplomacisë turke ka thënë se Turqia që prej vitit 2002 i ka ofruar më shumë se 1 miliardë dollarë Afganistanit. “Krahas kësaj ndihme kemi edhe ndihmë ushtarake ndaj Afganistanit. Kemi në patronazh sigurinë dhe mbarëvajtjen e aeroportit të Kabul-it. Përveç kësaj kemi zhvilluar dhe shumë projekte të tjera të cilat synojnë rritjen e aktivizimit dhe statusit të gruas në shoqëri. Në Kabul jemi duke ngritur bashkërisht Universitetin e Gruas” ka thënë ai në fjalën e tij.

Duke theksuar se një grup grashë afgane kanë kryer një trajnim në Antalia dhe më pas janë kthyer si ushtare në Afganistan, Çavuşoğlu në vijim të fjalës së tij është shprehur se Turqia është duke i dhënë të gjithë ndihmën e duhur në mënyrë që Afganistani të dalë nga kjo gjendje e vështirë.

”Penguan dërgimin e ndihmave edhe gjatë festës së Bajramit” 

Ndërsa në lidhje me gjendjen në Siri, Çavuşoğlu tha se është takuar me shefin e diplomacisë gjermane, Frank Walter Steinmeier, Sekretarin Amerikan të Shtetit John Kerry dhe ministrin e Politikave Sociale të Serbisë, Aleksandar Vulin, ku kanë shqyrtuar çështjen e Sirisë.

Duke nënvizuar se të gjitha marrëveshjet e bëra deri më tani janë shkelur, Çavuşoğlu në vijim të fjalës së tij u shpreh: “Ndalimi i luftimeve, armëpushimi, etj, të gjitha janë shkelur deri më sot. Kemi hasur shumë vështirësi në dërgimin e ndihmave humanitare atje. Edhe gjatë festës së Bajramit nuk arritëm të dërgojmë ndihma humanitare në vendet në vështirësi. Madje u goditën 18 maune me ndihma si dhe u vranë 4 shoferë.”

“Gjendja momentalisht është shumë serioze. Duhet të jemi realistë”

Çavuşoğlu tha se takimet dypalëshe në lidhje me Sirinë ende vazhdojnë. Ai ka theksuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me Rusinë, Iranin dhe SHBA-në dhe sipas tij duhet të shikohet realiteti.

Shefi i diplomacisë turke ka thënë se pikëpamjet e Turqisë janë të qarta në këtë temë. Duke theksuar se një zgjidhje politike është më e mira, Çavuşoğlu në vijim ka theksuar: “Kemi bërë më shumë se të gjithë për ndalimin e luftimeve dhe dërgimin e ndihmave humanitare. Do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë edhe në të ardhmen. Stabiliteti i Sirisë për ne është shumë i rëndësishëm. Lufta kundër organizatave terroriste atje është i rëndësishëm si për Sirinë ashtu edhe për ne.”

Lidhur me një pyetje se çfarë kanë biseduar me Kerry-n gjatë një takimi në sallën e konferencës, Çavuşoğlu ka thënë se kanë biseduar për Sirinë. Ai tha se i ka dhënë informacion për gjendjen shumë serioze në Siri Kerry-t dhe shtoi se pas fotografisë familjare janë takuar përsëri dhe kanë vendosur të realizojnë një takim dypalësh mbi Sirinë.

Shekulli Agency