Çavusoglu pas takimit me Lavrov: Ta forcojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat

lav-cavMinistri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavusoglu në lidhje me marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë tha se “Qëllimi ynë është t’i zhvillojmë më shumë se në të kaluarën marrëdhëniet mes dy shteteve, t’i thellojmë ato dhe ta forcojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat”.

Mbledhja e Pestë e Grupit të Planifikimit të Përbashkët Strategjik Turqi-Rusi u zhvillua në një hotel në qytetin e Antalias në Turqi me bashkëkryesimin e ministrit të Jashtëm turk Çavusoglu dhe homologut të tij rus Sergei Lavrov. Ministrat e të dyja vendeve nënshkruan Planin Aksional të Këshillave për vitet 2017-2018.

Duke folur në konferencën për media që u organizua pas mbledhjes me dyer të mbyllura, Çavusoglu tha se qëllimi i mbledhjes së sotme ishte bërja e përgatitjeve për Mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit të Lartë Strategjik që do të zhvillohet mes liderëve të dy vendeve, e cila siç tha Çavusoglu, kanë planifikuar ta mbajnë në tremujorin e parë të vitit 2017.

Çavusoglu rikujtoi se edhe kryeministri turk Binali Yıldırım javën e ardhshme do ta vizitojë Moskën, ku do të takohet me kryeministrin rus Dmitry Medvedev dhe presidentin Vladimir Putin.

“Qëllimi ynë është t’i zhvillojmë më shumë se në të kaluarën marrëdhëniet mes dy shteteve, t’i thellojmë ato dhe ta forcojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat”, vazhdoi Çavusoglu.

Siç tha ai, synimi është që vëllimi i tregtisë mes dy vendeve të arrijë në 100 miliardë dollarë deri në vitin 2023. Për këtë, sipas Çavusoglu-t, është i nevojshëm largimi i disa pengesave, për të cilat Rusia veçmë ka bërë hapa dhe ka hequr pengesat. Ai tha se pritja e tyre është që të hiqen edhe pengesat për prodhimet bujqësore.

Duke potencuar se vendi më i preferuar i turistëve rusë është Antalia, Çavusoglu tha se dëshirojnë heqjen e vizave, madje edhe udhëtimin e shtetasve rusë drejt Turqisë pa pasaporta.

Çështja e Sirisë

Ministri Çavusoglu theksoi nevojën për vazhdimin e bisedimeve në lidhje me sigurinë, duke shtuar se një nga elementet më të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit dhe në fushën e sigurisë është bashkëpunimi mes dy shteteve.

Sipas tij, organizatat terroriste si DEASH dhe PKK kërcënojnë të gjithë, ndërsa bisedimet dhe bashkëpunimi me Rusinë në lidhje me këtë çështje është në nivel të lartë.

“Sot i vlerësuam edhe këto tema. Me të vërtetë, nëse Turqia dhe Rusia veprojnë së bashku, mund të zgjidhim shumë probleme. Paraqita të dhëna në lidhje me zhvillimet e fundit në Qipro. Mbështetja e Rusisë në këtë drejtim është e rëndësishme. Rusia po ashtu përpiqet për zgjidhjen e problemit të Karabakut ose problemeve mes Azerbajxhanit dhe Armenisë; i vlerësojmë dhe i mbështesim këto. Edhe Turqia është e gatshme të bëjë atë që i takon. Andaj, bashkëpunimi ynë në çështjet që kanë të bëjnë me Detin e Zi, Mesdheun, Sirinë dhe Irakun është i dobishëm jo vetëm për shtetet, por edhe për stabilitetin, sigurinë, paqen dhe unitetin në rajon. Duke u nisur nga kjo, presidenti ynë i nderuar shpesh zhvillon biseda telefonike me të nderuarin Putin. Nga ana tjetër, ka takime të vazhdueshme mes ekspertëve, ushtarëve dhe diplomatëve tanë. Edhe ne me mikun tim Sergei takohemi në çdo platformë. Bëjmë përpjekje aktive për t’i zgjidhur problemet aktuale”, tha Çavusoglu.

Duke folur për gjendjen në Siri dhe vdekjen e civilëve në Halep, ministri Çavusoglu shprehu nevojën e arritjes së armëpushimit në Siri dhe dërgimin e ndihmave humanitare.

“Zgjidhja më e mirë është zgjidhja politike. Me Rusinë kemi botëkuptim të përbashkët sa i përket integritetit territorial dhe unitetit të Sirisë për zgjidhjen politike. Besojmë se këto përpjekje tona së shpejti do të rezultojnë me zgjidhje dhe se këto përpjekje tona do t’ia hapin rrugën stabilitetit dhe paqes në Siri dhe veçanërisht në Halep”, tha Çavusoglu.

Gjithashtu, Çavusoglu theksoi se projekt-ligji që aprovon Marrëveshjen e Rrjedhës Turke është pranuar nga Komisioni për Punë të Jashtme pranë Parlamentit të Turqisë dhe se në kohë shumë të shkurtër do të ligjësohet në Seancën Plenare të Parlamentit.

Ai njoftoi se rëndësi të madhe ka edhe Projekti Akkuyu, për realizimin e të cilit janë duke u përpjekur jo vetëm ministrat e Energjisë të të dyja shteteve, por edhe ata vetë si ministra të Jashtëm.

Shekulli Agency