Biografi: Kush janë ministrat dhe zv/ministrat e BDI-së

bdi111Shyhrete Elezi është femra e vetme në listën që kreu i BDI-së, Ali Ahmeti i propozoi për kabinetin e ri qeveritarë. Ajo do të udhëheqë me ministrinë e pushtetit lokal, vjen nga dega e Gostivarit ndërsa paraprakisht ka punuar si përgjegjëse në Departamentin e Financave në Komunën e Gostivarit. Bashkim Ameti nga Komuna e Sarajit deri më tani, drejtor i Agjencisë për Menaxhim me Pronat e Konfiskuara, do të zë vendin e Nurhan izairit në ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Ligjëruesi universitar i USHT-së, Driton Kuçi, kuadër i degës së BDI-së në Çair do të udhëheqë me ministrinë e ekonomisë, ndërsa Pishtar Lutfiu nga Dibra i cili deri më tani ka qenë i angazhuar në sektorin privat, do të zë vendin e Abdilaqim Ademit në krye të Ministrisë për Arsim dhe Shkencë. Ministër i drejtësisë do të jetë Valdet Xhaferi nga Gostivari, ka magjistruar në sferën e Jurispodencës dhe ka ushtruar detyrën e zëdhënësit në po të njëjtën ministri. Nga dega e Tetovës në Qeveri do të ulen pesë funksionarë. Festim Halili doktor i shkencave kompjuterike, ligjërues dhe udhëheqës i zyrës për Menaxhim me Projekte pranë USHT-së zë vendin e Musa Xhaferit në Sekretariatin për Impementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Agim Nuhiu nga fshati Sllatinë i Tetovës, doktor i shkencave juridike dhe ligjërues në USHT do të jetë zëvendës ministër në ministrinë e punëve të brendshme. Nga Tetova vjen edhe Arlind Zeqiri i cili do të jetë ministër pa resor, i angazhuar për investime të huaja në vend të Visar Fidës, si dhe Gëzim Beadini, magjistër ne fushën e financave dhe paraprakisht ka punuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa do të emërohet zëvendës ministër i financave. Tetovari i fundit që vjen në ekzekutiv është Bekim Maksuti i lindur në fshatin Shipkovicë, aktualisht profesor universitar, zëvendësministër i ri i Mbrojtjes. Struga në ekzekutiv do të përfaqësohet nga Faton Pollozhani i cili njëherit do të jetë ministri më i ri në Qeveri. I lindur në vitin 1990 në fshatin Diollogozhdë, i diplomuar në fakultetin ekonomik, Pollozhani do të emërohet zëvendës ministër i transportit dhe lidhjeve. Arbër Ademi, me profesion jurist, aktualisht profesor universitar në USHT do të zë vendin e Fatmir Besimit në sekretariatin për euro integrime.

/SHENJA/

Arben Zeqiri

Shekulli Agency