Beogradi: 100 qendra votimi në Kosovë për zgjedhjen e Parlamentit të ri serb

votime-koove-Marko Gjuriq, drejtori i Zyrës së qeverisë serbe për Kosovën deklaroi se autoritetet e Prishtinës kanë dhënë dakordësinë e tyre për të hapur qendra votimi për parlamentin e ri serb.

Zgjedhjet parlamentare të parakohshme serbe pritet të mbahen muajin e ardhshëm por qw ende nuk janë shpallur si datë nga ana e presidentit Nikoliç.

Marko Gjuriq, deklaroi në Radio KIM se “qytetarët tanë mund të votojnë në të gjithë territorin e Kosovës datën kur do të caktohet dita e zgjedhjeve”.

Siç bëjnë të ditur mediat serbe, në territorin e Kosovës do të ndërtohen rreth 100 qendra votimi, por nuk bëhen të ditura se në cilat qytete apo fshatra do të ngrihen.

Zyrtari i Beogradit u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të verifikojnë nëse janë në listat zgjedhore dhe më pas të bëjnë aplikimin e duhur.

Ndërkaq, Gjuriq në një intervistë në TV Most, u bëri thirrje serbëve të Kosovës të votojnë për Partinë Progresiste të Vuçiçit.

Sipas ligjit elektoral serb, Kosova është e ndarë në disa zona elektorale dhe prodhon disa deputetë.

Parlamentarët serbë që përfaqësojnë Kosovën në Asamblenë e Serbisë, nuk përfaqësojnë vetëm enklavat por të gjitha zonat administrative të Kosovës. Ndërkaq, siç bën të ditur B92 në listën e zgjedhësve të Serbisë në Kosovë janë regjistruar dhe një numër i madh shqiptarësh që zotërojnë dokumente serbe apo të ashtuquajturat “pasosha”.

/tesheshi.com/

Shekulli Agency