Apostolova: Kosova ta plotësojë kushtin e Demarkacionit me Malin e Zi

apostolova-9088Në konferencën për media në Bruksel, Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn shprehu se Kosova ka arritur progres në disa fusha, por ai shtoi se kjo nuk do të thotë që liberalizimi i vizave do të bëhet menjeherë. Ai shtoi se për këtë duhet plotësimi i kushteve, sidomos ai i shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Kurse Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova në një konferencë për media tha se Kosova ka arritur progres në disa fusha, gjithashtu edhe në atë të luftës kundër korrupsionit, por shtoi se kjo nuk do të thotë që Kosova do futet automatikisht në listën e shteteve të zonës Schengen.

“Tani Kosovës i mbetet ta plotësojë edhe kushtin e parë që është Demarkacioni me Malin e Zi dhe së dyti zhvillimet duhet të vlerësohen nga shërbimet e BE-së, pastaj nga këshilli, shtetet anëtare dhe vetëm pas një vlerësimi të tillë do të merret vendimi për liberalizimin e vizave”, tha Apostolova.

Ajo shtoi se Kosova dhe Serbia kanë arritur progres në normalizimin e marrëdhënieve, por theksoi se është e rëndësishme që si Prishtina ashtu edhe Beogradi të jenë të përkushtuar në implementimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e BE-së.

Apostolova gjithashtu theksoi se për një kohë të gjatë në Kosovë kishte polarizime politike ku është penguar edhe funksionizimi normal i parlamentit dhe vuri në dukje se pozita dhe opozita duhet të punojnë së bashku dhe të gjejnë mëmyrë për t’I dhënë fund kësaj ngecjeje politike.

Ajo bëri të ditur se sipas raportit Kosova ka bërë progres të mirë në fushën e reformës së administratës publike por shtoi se duhet të ketë përparime në sistemin gjyqësor. Ajo shtoi se në këtë aspekt Kosova është në një fazë të hershme dhe që ka vazhduar të rrisë normën e saj të pastrimit të rasteve. Shefja theksoi që megjithatë administrimi i drejtësisë është I ngadalshëm dhe joefikas, ku ka llogaridhënie të pamjaftueshme të zyrtarëve gjyqësorë.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Apostolova theksoi se EULEX-i ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për të arritur progres në fushën e drejtësisë në Kosovë.

“EULEX-i në vitet e kaluara ka bërë punë të jashtëzakonshme në mënyrë që të na mundësojë neve që në këtë raport të vlerësojmë se keni të arritura të mira, keni ndërmarrë hapa në luftimin e korrupsionit dhe se ju keni ndryshuar ligje, kushtetuta është ndryshuar që të krijohet këshilli gjyqësor që është shumë i rëndësishëm për të mundësuar që emërimet të mos lidhen me partitë politike apo me udhëheqësit dhe gjithë kjo tregon se EULEX-i ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për gjyqësorin e Kosovës”, tha Apostolova.

Ajo së fundmi shtoi se BE-ja është e gatshme të ndihmojë në Kosovën drejt axhendës evropiane, e cila bazohet në shtyllat kryesore si sundimi i ligjit, qeverisja e mirë, konkrueshmëria si dhe në fushat si investim, punësim dhe arsim.

Në raportin e Progresit për Kosovën thuhet se Kosova është në fazën e hershme të zhvillimit të ekonomisë funksionale të tregut dhe në një fazë të hershme të harmonizimit të standardeve me standardet evropiane.

Aty theksohet se institucionet e Kosovës kanë përmbyllur obligimet e mbetura për themelimin e Dhomave të Posaçme dhe Zyrës së Prokurorisë së Posaçme për të hetuar dyshimet për krimet ndërkombëtare të kryera gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1999. Gjithashtu bëhet e ditur se Kuvendi ka kompletuar shumicën e emërimeve të diskutueshme nëpër institucionet e pavarura dhe në agjenci, por që emërimet kanë qenë shpesh objekt i ndikimit politik.

Në raport gjithashtu theksohet se Kosova ka forcuar kapacitetet e saj institucionale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, me krijim e një ekipi multudisiplinor hetimor, krijimin e një mekanizmi përcjellës për rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe rastet e krimit të organizuar, si dhe forcimin e departamentit për krime të rënda në gjykatat themelore. Sipas Raportit në Kosovë është arritur pak progres në fushën e të drejtave të njeriut, me disa hapa të ndërmarrë në zbatimin e pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova në takime të ndara sot ia dorëzoi Raportin e Progresit të Kosovës për vitin 2016 kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, si dhe kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa. Kurse të enjten, me rastin e publikimit të Raportit për Kosovën 2016 nga Komisioni Evropian, Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek do ta vizitojë Kosovën.

Shekulli Agency