27 mjekë specialistë nga Turqia do të kryejnë operacione të ndërlikuara në Kosovë

Nga sot deri më 28 shkurt, 27 mjekë nga Turqia që janë specialist të fushave të ndryshme mjekësore, do të kryejnë operacione të ndërlikuara për pacientët e Kosovës

dok-tur-kos-546Java e shëndetësisë Kosovaro –Turke ka filluar sot, me hapjen zyrtare të bërë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si pjesë e zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë.

Gjatë kësaj jave, nga sot deri më 28 shkurt, 27 mjekë nga Turqia që janë specialist të fushave të ndryshme mjekësore, do të kryejnë operacione të ndërlikuara për pacientët e Kosovës në fushat e kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë dhe infermierisë.

Hapjen zyrtare të “Javës së Shëndetësisë Kosovaro –Turke” e bënë Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Imet Rrahmani, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, dr. Curr Gjocaj.

Ministri Imet Rrahmani tha se ky aktivitet është vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë midis dy shteteve përkatësisht ministrive të shëndetësisë së Kosovës dhe Turqisë, shtetin dhe ambasadën e Turqisë në Kosovë, nga i cili bashkëpunim përfitimet do të jenë të shumta dhe të shumanshme.

“Nga ky bashkëpunimi shumëvjeçar në mes të dy shteteve, në mes të sistemeve të shëndetësisë, kanë përfituar më së shumti pacientët kosovar, por edhe profesionistët shëndetësor të dy vendeve… ndihma e drejtpërdrejtë për pacientët është vetëm një segment i ndihmës sepse ky aktivitet ka të bëjë edhe me shkëmbimin e përvojave, me edukimin dhe risit në shëndetësi”, tha ministri Rrahmani.

Ai shtoi se, kjo ndihmë mund të kalkulohet edhe në vlerë monetare, por ndihma që nuk matet me para është vazhdimësia e bashkëpunimit dhe mirëbesimi i dyanshëm.

Në fund, ministri Rrahmani i cili edhe vet është doktor specialit i kujdesit intensiv dhe mjekësisë emergjente, deklaroi që mjekët e kardiokirurgjisë tashmë janë një hap përpara në krahasim me degët tjera, ngase ata tashmë kanë filluar bashkëpunimin dhe së shpejti edhe specialistët e fushave të tjera të mjekësisë do t’iu bashkëngjiten.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç shprehu kënaqësinë që sivjet, për herë të tretë, po organizohet Java e Shëndetësisë Kosovare Turke, që është tregues i lidhjeve të forta miqësore ndërmjet të dy shteteve dhe në veçanti, është një kontribut i drejtpërdrejt i Turqisë për ta ndihmuar shëndetësinë në Kosovë.

Ambasadorja Kiliç falënderoi mjekët specialist të spitaleve të njohura nga qytetet e ndryshme të Turqisë dhe zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi që kanë ardhur në Kosovë, si dhe personelin e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe QKUK-së për organizimin dhe mikpritjen e treguar.

“Kosova për Turqinë është një vend mik me të cilin ndajmë një histori, traditë dhe kulturë të përbashkët. Bazuar në këtë, siç kemi bashkëpunuar në zhvillimin e fushave të tjera, Turqia synon të ndihmoj edhe në zhvillimin e shëndetësisë kosovare me qëllim që ajo të bëhet me standarde bashkëkohore. Prandaj, sikurse që ka bërë deri tash edhe në të ardhmen, Turqia do ta ofrojë tërë përkrahjen dhe mbështetjen e nevojshme. Java e Shëndetësisë e cila sivjet po organizohet për herë të tretë, paraqet një hallkë të rëndësishme në zinxhirin e pashkëputur të bashkëpunimit të mirë midis shteteve tona”, tha ambasadorja Kiliç duke theksuar kënaqësinë e saj që, gjatë kësaj jave, mjekët turk së bashku me kolegët e tyre kosovarë do të punojnë së bashku dhe do të shkëmbejnë njohuritë dhe përvojat.

Ajo rikujtoi edhe faktin se, në fushën e shëndetësisë, Turqia dhe Kosova kanë një bashkëpunim të gjerë dhe në kuadër të cilit, çdo vit, dhjetëra pacientë kosovar shërohen në Turqi përmes trajtimit falas, ndërsa me përkrahjen e TIKA-s (Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim), mjekët kosovarë marrin pjesë në trajnime dhe seminare profesionale të organizuara në Turqi.

“Duke pasur parasysh se zhvillimi dhe modernizimi i shëndetësisë është një nga tregues i zhvillimit ekonomik të një vendi, ne vazhdimisht e përkrahim zhvillimin e mjekësisë kosovare dhe në kuadër të kësaj, javë më parë, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe TIKA kanë nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit për projektin e Renovimit dhe furnizimit me pajisje në kuadër të instalimit të Njësisë së Kujdesit Intensiv në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës”, tha ambasadorja Kiliç duke ritheksuar se kjo ndihmë dhe përkrahje do të vazhdoj dhe intensifikohet edhe më shumë, në të ardhmen.

Arif Çetin, zyrtar i departamentit për marrëdhënie ndërkombëtare i Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë, fillimisht përshëndeti të pranishmit dhe gjithë kosovarëve iu uroj 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, shtetit mik dhe vëllazëror të Turqisë.

“Ministria e shëndetësisë së Turqisë, si shtet mik i Kosovës, gjatë viteve 2013 dhe 2014, dy herë kemi organizuar Javën e Shëndetësisë dhe kemi realizuar bashkëpunim të mirë. Kësaj radhe, ky aktivitet i cili do të zgjasë 9 ditë dhe gjatë të cilit do të kryhen operacione në kardiokirurgji të rriturve dhe fëmijëve, kirurgji obstetrike dhe gjinekologji, kirurgji të përgjithshme, kirurgji të fëmijëve, oftalmologji, anestezion dhe mjekim intensiv, do të përfshijë një ekip prej rreth 30 ekspertëve”, tha Çetin dhe shprehu kënaqësinë e tij dhe të ekipit mjekësor turk i cili do të ketë mundësi të përkrah shëndetësinë kosovare.

Ai ritheksoi zbatimin e Protokollit të Bashkëpunimit ndërmjet të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Turqisë , në bazë të cilit çdo vit në Turqi shërohen 100 pacientë falas, ndërsa 113 mjekë specialist janë trajnuar dhe specializuar përmes përkrahjes së TIKA-s.

/AA/ Shekulli Agency

Shekulli Agency