2016-ta, vit i krizës për BE-në

Njëlloj sikur Brexit, çështje tjetër që lëkundi imazhin e BE-së ishte edhe politika në lidhje me refugjatët. Më 16 janar, Austria mbylli kufirin e saj me Slloveninë dhe Hungarinë

Viti 2016 për Bashkimin Evropian (BE) ishte vit kur përmes Brexit-it u vë në pikëpyetje e ardhmja e tij, vit kur u sprovua “shoqërimi” i tij me Ukrainën, vit kur ngeli pa ndikim në Siri, vit kur anëtarët e tij “u rebeluan” dhe vit i ngritjes së partive populiste anti-Bruksel.

Ky vit veçanërisht kaloi i tendosur për shkak të debateve në lidhje me Brexit-in. Kryeministri i atëhershëm britanik, David Cameron, në Samitin e Liderëve të BE-së që u mbajt në muajin shkurt tha se ka arritur marrëveshjen e nevojshme për të ngelur në BE dhe se në referendum do të zhvillonte fushatën në këtë drejtim.

Megjithatë, në referendumin më 23 qershor, qytetarët e Britanisë votuan në favor të shkëputjes nga BE-ja. Shteti më i fuqishëm i Unionit, Gjermania, vendimin e Brexit, që kishte kuptimin e një triumfi të së djathtës ekstreme, e cilësoi se “plagë e thellë”. Përderisa për herë të parë një shtet mori vendimin për ndarje nga Unioni, në të njëjtën kohë filloi të vihet në pikëpyetje e ardhmja e BE-së.

Kriza e refugjatëve

Njëlloj sikur Brexit, çështje tjetër që lëkundi imazhin e BE-së ishte edhe politika në lidhje me refugjatët. Më 16 janar, Austria mbylli kufirin e saj me Slloveninë dhe Hungarinë. Më pas, Austrinë e ndoqën edhe shtetet e Ballkanit.

Megjithëse në saj të marrëveshjes me Turqinë kalimet në Greqi u zvogëluan, kalimet në Itali përmes Mesdheut shënuan rritje. Kjo rritje në të njëjtën kohë solli me vete 4.500 viktima që humbën jetën në Mesdhe, e cila është rrugë më e rrezikshme.

Derisa disa shtete shpalosën qëndrimin e tyre kundër pranimit të refugjatëve, BE-ja u drejtua drejt një marrëveshjeje me Afganistanin dhe disa shteteve të Afrikës që parashihte mbështetje financiare, në mënyrë që të mund t’i kthente migrantët ilegalë. Nga ana tjetër, BE-ja dështoi në zbatimin e detyrimeve të marrëveshjes së 18 marsit të arritur me Turqinë. Ndërsa BE-ja vazhdimisht ngrit zërin për të drejtat e njeriut, qëndrimi i saj kundrejt refugjatëve vuri në pikëpyetje vlerat e saj.

U mjaftua vetëm “duke dënuar” në lidhje me Sirinë

Ndërkohë, lufta në Siri tregoi përmasat e ndikimit të BE-së. Veprimet e BE-së, të cilat përveç tryezave nuk u gjendën në praktikë, ngelën të kufizuara vetëm me deklarata dënimi. Sanksionet e mundshme të saj kundrejt Rusisë për rolin e saj në Siri, u bllokuan nga vetoja italiane.

Presidenti francez François Hollande, në fjalën e tij gjatë samitit të fundit të liderëve në këtë vit, aludoi në paaftësinë e BE-së duke u shprehur: “Në qoftë se 28 shtete nuk mund të arrijnë marrëveshje për një problem të këtillë dhe në qoftë se nuk mund ta dënojnë një masakër, atëherë pse kemi një union prej 28 shtetesh”. Derisa me deklaratën finale të samitit të liderëve dënoheshin regjimi sirian, Rusia dhe Irani, Turqia arriti marrëveshje për evakuimin e civilëve nga Halepi.

Frika nga sulmet terroriste

Edhe terrori u bë shkak i ngjeshjes së axhendës së BE-së në vitin 2016. Organizata terroriste DEASH, e cila vitin e kaluar realizoi sulmet në Paris, më 22 mars goditi Brukselin me bomba, ndërsa më 14 korrik qytetin francez të Nicës përmes një kamioni i cili u fut midis një turme. Në këto dy sulme, jetën humbën afër 120 persona, ndërkohë që kohë pas kohe në Gjermani, Francë dhe Bruksel u organizuan sulme me thika që synuan policinë apo qytetarët.

Për efikasitet më të madh, Brukseli ndryshoi dokumentin kornizë për luftën kundër terrorizmit. Megjithatë, ky hap nuk prodhoi zgjidhje. Më 19 dhjetor, në kryeqytetin gjerman, Berlin, u organizua sulm me kamion ndaj turmës një treg të Krishtlindjeve. Si pasojë e këtij sulmi që sërish u mor përsipër nga DEASH-i, jetën humbën 12 persona.

Shqëtisimet nga fitorja e Trump

Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, i cili mbronte mendimin se Evropa duhet të rrisë shpenzimet për mbrojtje dhe ishte kundër marrëveshjeve tregtare me Evropën, hapi rrugën për merakosje në Bruksel. Planet e tij Brukseli i kishte ndërtuar duke u mbështetur në fitoren e Hillary Clinton-it, ndërkohë që menjëherë pas qartësimit të rezultateve, përmes një deklarate të përbashkët, Trump u ftua në samitin e liderëve.

Disa ditë pas zgjedhjeve, më 13 nëntor, ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën në një drekë të përbashkët pune për të diskutuar në lidhje me efektet e fitores së Donald Trump. “Na merr në konsideratë!”, ishte mesazhi që iu dërgua Trumpit, ndërkohë që Trump ende nuk është takuar as me Juncker, as me Tusk.

Aneksim, luftë e brendshme, vdekje: Çmimi i besimit në BE-në

Nga ana tjetër, Marrëveshja e Partneritetit për Ukrainën vuri në pikëpyetje “çmimin që duhet paguar për besimin në BE-në”. Incidentet që filluan me kundërshtimin e marrëveshjes së presidentit të atëhershëm Viktor Janukoviç me BE-në më 21 nëntor të vitit 2013, hapën rrugën për luftën që ende vazhdon në lindje të vendit, aneksimin e Krimesë dhe vdekjen e 9.758 personave.

Në vazhdën e kësaj, në referendumin që u mbajt në Holandë më 6 prill, Marrëveshja e Partneritetit BE-Ukrainë u refuzua me shumicë absolute, njëlloj siç kishin dëshiruar partitë populiste. Ndërkaq, në samitin e fundit të vitit, liderët e BE-së sollën kufizime në Marrëveshjen e Partneritetit BE-Ukrainë për shkak të kundërshtimit në Holandë.

Edhe krahas të gjitha këtyre kufizimeve, a do të zbatohet marrëveshja ose jo ngelet të qartësohet me miratimin e Parlamentit të Holandës. Përderisa qeveria e Ukrainës përjetoi dëshpërim, Marrëveshja e boshatisur e Partneritetit u bë “certifikata e shoqërimit” me Brukselin.

Gjithashtu, fakti që Brukseli ende nuk ka hequr vizat për qytetarët e Ukrainës dhe Gjeorgjisë edhe krahas përmbushjes së kritereve, hapi debatet në lidhje me atë se sa BE-ja u ngelet besnik premtimeve.

Mposhtja në Moldavi

Me triumfin e pro-rusit Igor Dodon, kryetarit të Partisë Socialiste, në zgjedhjet që u mbajtën në ish-republikën sovjetike të Moldavisë, BE-ja e përballur me probleme besueshmërie dhe lëkundje të imazhit, mori goditje në përpjekjet e saj kundër Moskës. Ulja e flamurit të BE-së nga Dodon para Presidencës në ditët e fundit të vitit, ishte tregues i thyerjes së ndikueshmërisë së Brukselit.

Shtet tjetër ku u forcua efekti Moldavi kundër Brukselit ishte Bullgaria. Në zgjedhjet presidenciale më 6 nëntor, fitues doli pro-rusi Rumen Radev, ish-komandant i Forcave Ajrore. Kryeministri Bojko Borisov, i cili mbështeti kundërshtarin e Radevit në zgjedhje, dha dorëheqje pas shpalljes së rezultateve, ndërkohë që temë debati u bënë politikat e mundshme që do t’i ndiqte presidenti i ri.

Në Itali u refuzuan “politikat pro-BE”

Kryeministri i Italisë, Mateo Renzi, u detyrua të japë dorëheqje pas humbjes në referendumin për ndryshime kushtetuese që u mbajt më 5 dhjetor. Refuzimi në referendum u cilësua “refuzim ndaj politikave pro-BE” të Renzit, ndërkohë që Lëvizja ‘5 Yje’, parti euroskeptike, shënoi ngritje. Në rast se pas zgjedhjeve që do të mbahen në pushtet vjen Lëvizja ‘5 Yje’, e cila është në favor të daljes nga eurozona, Italinë e pret ndryshim i madh në politikat e BE-së. Paqartësia e cila vazhdon ka ngritur shqetësime për thellim të krizës në sektorin bankar.

Forcimi i së djathtës ekstreme në Austri

Në zgjedhjet që u mbajtën në Austri më 22 maj, kandidati djathtist ekstrem Norbert Hofer nga Partia e Lirisë e Austrisë (FPÖ) humbi me diferencë të vogël. Pas ankesave, zgjedhjet u përsëritën më 4 dhjetor, kurse fitues kësaj radhe doli kandidati i pavarur i së majtës Alexander Van der Bellen, gjë që zvogëloi shqetësimet e Brukselit. Megjithë këtë, shqetësime ka shkaktuar fakti që FPÖ ende ngelet partia më e fuqishme.

Anëtarët e BE-së u revoltuan ndaj BE-së

Në vitin 2016, shtetet që njihen si V4, Çekia, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, u revoltuan ndaj Brukselit, pasi kjo e fundit e bëri të detyrueshme pranimin e refugjatëve nga shtetet anëtare. Shtetet V4, të cilët morën emrin nga qyteza hungareze ku u mbajt takimi i parë, Visegrad, njoftuan se nuk do të pranonin refugjatë, duke i detyruar BE-në dhe anëtarët e tjerë të bëjnë ndryshime të politikave.

Nga këto shtete, vëmendje më të madhe tërhoqi Hungaria. Kryeministri hungarez Victor Orban tërhoqi reagime si përmes deklaratave kundër refugjatëve, njashtu edhe me referendumin për mospranimin e refugjatëve, ndërsa shpesh u akuzua për “tendenca autokratike”. Ndërka, Jean Asselborn, ministri i jashtëm i Luksembuergut i cili kritikoi ashpër qeverinë Orban, bëri thirrje për largimin e Hungarisë nga BE-ja.

Polonisë iu dha afat prej dy muajsh

Vend tjetër me të cilin Brukseli kishte probleme ishte Polonia. Me arsyetimin për mospërputhje me parimet e sundimit të ligjit, Komisioni Evropian i dha Polonisë afat prej dy muajsh për ta tërhequr amandamentin në lidhje me procedurat e gjymikit në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, Polonia ende nuk ka marrë në konsideratë Brukselin dhe nuk ka hedhur hap në këtë drejtim.

Valonia kundër 28 anëtarëve

Marrëveshja CETA për tregti të lirë midis BE-së dhe Kanadasë, arriti të nënshkruhet vetëm pas përpjekjeve të shumta për shkak të kundërshtimit të rajonit Valonia. Mundësia për veto e rajonit belg Valonia me popullsi prej 3.5 milionë banorësh ndaj një marrëveshjeje të këtillë, vuri në pikëpyetje mekanizmat vendimmarrës të BE-së.

Ndërkaq, ende vazhdon paqartësia rreth të ardhmes së Partneritet Transatlantik për Tregti dhe Investim që kërkohet të arrihet me SHBA-të. Gjersa Brukseli është në favor të marrëveshjes, nuk pritet që ajo ta ketë mbështetjen e Donald Trump, i cili do t’ia fillojë detyrës më 20 janar.

Shekulli Agency