Bilanc i rëndë i të plagosurve nga dhuna e policisë franceze

Fotoreporteri i Anadolu Agency (AA), Mustafa Yalçın, i cili po ndiqte nga afër protestat kundër reformës së pensioneve në Paris, ishte viktima e fundit e dhunës së policisë franceze.

Yalçın, mjekimi i të cilit është duke vazhduar, u plagos pasi një bombolë gazi e hedhur nga policia franceze gjatë protestave kundër politikave të presidentit Emmanuel Macron e ka qëlluar në sy.

Bombola e gazit e forcave të sigurisë ka thyer xhamin e maskës që Yalçın kishte vendosur si masë mbrojtëse, ndërsa ai përballet me rrezikun e humbjes së syrit.

Krahas Yalçın, në protesta janë plagosur edhe gazetarët Taha Bouhafs dhe Gaspard Glanz dhe disa protestues.

– Policia franceze e prirur për të përdorur dhunën

Bilanci i dhunës policore në protestat e jelekëve të verdhë, të cilat filluan si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburantit dhe kushteve të këqija ekonomike në Francë dhe më pas u shndërruan në një rebelim dhe zemërim kundër qeverisë Macron, tregon se forcat e sigurisë në vend kanë tendencë të jenë të dhunshme dhe të përdorin forcë joproporcionale.

Në demonstratat e jelekëve të verdhë, të cilët u regjistruan si protestat më të gjatë në vend, policia franceze shpesh është kritikuar për forcën e joproporcionale.

“Policia Franceze shpesh ka përdorur plumba plastikë dhe bombola të gazit lotësjellës kundër protestuesve që protestonin në mënyrë paqësore dhe nuk kërcënonin rendin publik. Ka shumë dokumente që dëshmojnë se policia ka përdorur forcë të tepruar”, ka deklaruar organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International.

Sipas ligjeve franceze, forcat e sigurisë e kanë të ndaluar të qëllojnë në kokat e njerëzve me plumba plastikë. Megjithatë, policia shpesh shënjestron gazetarët dhe demonstruesit.

– Bilanc i rëndë

Sipas të dhënave të përpiluara nga AA, një person ka humbur jetën, 26 kanë humbur syrin, pesë kanë humbur dorën dhe rreth 500 janë plagosur për shkak të forcës joproporcionale të përdorur nga policia franceze në demonstrata brenda një viti të fundit.

Nga ana tjetër, më shumë se 12 mijë njerëz u arrestuan në demonstrata dhe 3.163 u dënuan me burg.

– Evropa, mbrojtëse e të drejtave të njeriut, ngeli e heshtur

Kombet e Bashkuara, të cilat në etapën e parë qëndruan të heshtura në protestat e jelekëve të verdhë, më pas i bënë thirrje qeverisë të hapë një hetim për përdorimin joproporcional të forcës pasi bilanci i të plagosurve u rrit për shkak të dhunës policore.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian (BE), i cili reagon shpejt në protestat në shumë vende dhe bën thirrje për përmbajtje, shpërfilli dhunën policore të anëtarit të saj Francës.

Evropa, e cila merr përsipër rolin e mbrojtësit të demokracisë, lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut, vazhdon të heshtë ndaj dhunës policore në Francë.

Shekulli Agency