Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, deklaratat e Ali Ahmetit ndër vite

ali-ahmetiProkurorja Fatime Fetai,  gjatë publikimit të veprës së re që do ta hetojë prokuroria speciale, sqarimet i bëri në gjuhën maqedonase duke thënë se ligji nuk e njeh gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Procedurë Penale. Kjo deklaratë ishte krejtësisht në kundërshtim me deklarimet e shumta të drejtuesve të partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, se gjuha shqipe është tërësisht zyrtare në gjithë vendin. Por edhe këta të fundit në shumë raste kanë qenë konfuz për këtë temë duke dhënë vlerësime diametralisht të kundërta. Vetë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë zgjedhjeve të vitit 2011 brenda 24 orëve jepte dy deklarata diametralisht të kundërta. Në tubimin parazgjedhorë në Kumanovë pati premtuar se do të zyrtarizoj tërësisht gjuhën shqipe në Maqedoni, ndërsa të nesërmen gjatë tubimit në Negotinë të Gostivarit tha se gjuha shqipe është tërësisht zyrtare.
“Çështja e gjuhës shqipe, ju që të gjithë e dini, ne kemi votuar një ligj në Parlamentin e Maqedonisë, ligj i cili nuk i kënaq nevojat e shqiptarëve”, pati deklaruar Ali Ahmeti më 17 maj 2011 në Kumanovë.

“Të mos flasim për gjuhën shqipe tërësisht zyrtare”, pati deklaruar më 18 maj 2011 në Negotinë, kreu i BDI-së, Ahmeti.
Por edhe pas marrjes së mandatit të BDI-së nuk zgjodhi dilemat për zyrtarizimin e gjuhës. Kësaj radhe vetë Ahmeti ishte kontradiktorë brenda ditës së njëjtë dhe në deklaratën e njëjtë. Fillimisht tha se gjuha shqipe është zyrtare dhe disa sekonda më pas pranoi se zyrtarizimi i plotë i shqipes mbetet për mandatin e ardhshëm, me arsyetimin se proceset duan kohë.
“Gjuha shqipe është në proces të mbarë dhe gjuha shqipe sipas Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit është gjuhë zyrtare dhe në Maqedoni dhe në asnjë vend nuk ka gjuhë të parë dhe gjuhë të dytë por ka vetëm gjuhë zyrtare dhe gjuha shqipe është zyrtare por është në proces dhe në mandatin e ardhshëm sigurisht që kjo çështje përfundimisht do të mbyllet. Proceset duhen kohë, proceset duhen angazhim dhe durim”, pati deklaruar Ali Ahmeti më datë 10 korrik 2012.

Në shumë raste drejtuesit e BDI-së patën deklaruar se shqipja është tërësisht zyrtare, por akuzuan funksionarët maqedonas për obstrukcione në përdorimin e dygjuhësisë. Por opinioni u trondit nga një skandal i dy ministrave të BDI-së, Fatmir Besimit dhe Tahir Hanit, të cilët në një takim zyrtarë njëri tjetrit i flisnin në gjuhën maqedonase.
Drejtuesit e BDI-së dolën edhe me arsyetime se shqipja tanimë është tërësisht zyrtare në Parlamentin e Maqedonisë, ndërsa has në probleme në institucione të tjera. Por, në dy mandatet e fundit, që nga viti 2011, dy nënkryetarët e Kuvendit, Suzana Saliu dhe ai aktual, Rafis Aliti, nuk kanë arritur të udhëheqin asnj seancë plenare në gjuhën shqipe. Saliu ankohej se kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski nuk i lejon ta përdorë shqipen, ndërsa Aliti thotë se seancat do ti udhëheq në gjuhën shqipe. Por që nga marrja e postit ai asnjëherë nuk u ul në ulësen e parë të Kuvendit.

Arben Zeqiri /SHENJA/

Shekulli Agency