“Zgjidhja e çështjes së kufirit me Malin e Zi, nuk do të garantojë liberalizimin e vizave”

Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, eurodeputetja Ulrike Lunacek gjatë vizitës së saj në Kosovë, sot në takime të ndara u takua me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Isa Mustafa

lun-tha-877Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, eurodeputetja Ulrike Lunaçek gjatë vizitës së saj në Kosovë, sot në takime të ndara u takua me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Isa Mustafa.

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Kosovës thuhet se gjatë takimit me eurodeputeteten Lunaçek, Presidenti Thaçi ka biseduar për procesin integrues të Kosovës.

“Bashkimi Evropian mbetet destinacioni i vetëm i Kosovës. Ne mbesim të përkushtuar në reformat e përgjithshme për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Por, edhe BE-ja të mos vonohet me Kosovën dhe rajonin”, ka thënë Thaçi.

Ai dhe eurodeputetja gjithashtu kanë biseduar edhe për rëndësinë e ndërtimit të partneritetit dhe bashkëpunimit reciprok ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit të Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa me zëvendëspresidenten Lunaçek u bisedua për zhvillimet në Kosovë, raportin e Komisionit Evropian, rrugën integruese evropiane si dhe proceset tjera.

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se gjatë këtij takimi Mustafa ka njoftuar Lunaçekun për implementimin e MSA-së, masat që po ndërmerren në zhvillimin ekonomik, implementimin e reformave në fusha të ndryshme, strategjitë zhvillimore, qëndrueshmërinë buxhetore si dhe për fuqizimin e shtetit ligjor e luftën kundër korrupsionit.

Në takim gjithashtu u bisedua për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ku Mustafa dhe eurodeputetja Lunaçek theksuan domosdoshmërinë e adresimit të çështjes së demarkacionit, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës të mos iu pamundësohet edhe më tutje lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Së fundi, Lunaçek shprehu përkrahjen e saj për rrugën integruese evropiane të Kosovës.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme Lunaçek u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha. Ajo gjithashtu mbajti një konferencë për media, ku u shpreh se zgjidhja e çështjes së kufirit me Malin e Zi, nuk do të garantojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por shtoi se në rast se nuk zgjidhet kjo çështje atëherë është e sigurtë që nuk do të ketë lëvizje të lirë për kosovarët.

Lunaçek gjithashtu shtoi se tani topi është tek politikanët kosovarë të cilët duhet ta ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit dhe ta trajtojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo vuri në dukje se në rast të plotësimit të kritereve, liberalizimi i vizave për kosovarët do të paraqitet në Këshillin Evropian.

Eurodeputetja foli edhe për zgjedhjen e Donald Trump si President i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se zgjedhja e tij nuk është lajm i mirë për Kosovën. Ajo gjithashtu u shpreh se do të parapëlqente fitoren e Clintonit.

Shekulli Agency