Tiranë, protestuesit e opozitës qëndruan gjatë natës në çadër

Disa nga protestuesit e opozitës kanë qëndruar gjatë natës brenda çadrës së vendosur para selisë së Këshillit të Ministrave, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Protesta e opozitës ka hyrë në ditën e dytë, teksa disa qytetarë gjatë natës kanë qëndruar brenda çadrës së madhe të vendosur në bulevard.

Pjesë e protestuesve janë bërë edhe deputetë dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Opozita kërkon krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të qershorit.

Gjatë fjalimit që mbajti dje në protestë kryetari i opozitës, Lulzim Basha, u shpreh se janë mbledhur për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe sipas tij për ndarjen e politikës nga krimi.

Shekulli Agency