Thaçi: “Hyrja e trenit me afishe nacionaliste nga Serbia është e papranueshme”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, reagon për prezantimin e linjës hekurudhore Beograd – Mitrovicë, nga e ashtuquajtura Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën.

Në një postim në rrjetin social Facebook, presidenti Thaçi ka shkruar se hyrja e këtij treni me afishe nacionaliste nga Serbia, është krejtësisht e papranueshme.

“Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme”, ka shkruar Thaçi.

Sipas tij, në trenin e nisur sot nga Beogradi, kanë udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë, të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë.

“Për më tepër, në këtë tren kanë udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi. Prandaj, çfarëdo që është ilegale dhe cenon sovranitetin shtetëror të Kosovës, duhet të parandalohet. Ky tren është provokim i radhës dhe autoritetet e Kosovës duhet t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ndaljen e menjëhershme të tij”, ka shtuar në fund presidenti Thaçi.

Ndërkaq, lidhur me këtë linjë hekurudhore dje ka reaguar edhe ministrja Edita Tahiri. Ajo ka kërkuar nga BE-ja që ta ndalë trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës, duke theksuar se ky është një provokim i radhës për destabilizimin e situatës në Kosovë.

Kjo linjë është iniciuar nga e ashtuquajtura Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, e cila lansohet për herë të parë që nga viti 1999. Drejtori i kësaj Zyre, Marko Djuric është shprehur për mediat serbe se ky tren është i zbukuruar me motive të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë.

Shekulli Agency