Të martën vazhdon në Bruksel dialogu Beograd-Prishtinë

Vuçiç në konferencën për gazetarë tha se Serbinë do ta përfaqësojë ai dhe presidenti Tomislav Nikoliç dhe se beson që edhe palën kosovare do ta përfaqësojnë drejtuesit më të lartë politik

Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve do të vazhdojë të martën në mbrëmje në Bruksel, nën patronazhin e komisioneres së Lartë të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, deklaroi sot kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Vuçiç në konferencën për gazetarë tha se Serbinë do ta përfaqësojë ai dhe presidenti Tomislav Nikoliç dhe se beson që edhe palën kosovare do ta përfaqësojnë drejtuesit më të lartë politik.

“Bisedimet nuk do të jenë aspak të lehta. Qëndrimet tona janë krejtësisht të largëta. Ata nisen nga premisa se janë shtet i pavarur, ndërsa ne se ajo është territor i Serbisë. Është e rëndësishme dhe duhet të jetë konkludim se nuk guxon të ndodhë përdorimi i armëve”, tha Vuçiç.

Ai tha se, sipas marrëveshjes së Brukselit, veriu i Kosovës dhe të gjitha njësitet që shkojnë në veri doemos duhet të përbëhen në pajtim me strukturën e popullsisë. “Madje edhe nëse dërgohet ROSU (njësia speciale e policisë së Kosovës) patjetër të ketë 90 deri në 100 për qind serb në përbërjen e vet”, tha Vuçiç.

Shekulli Agency