Shqiprim Arifi: Patriotizmi më i madh është zhvillimi i ekonomisë

arifi-46353jpgNjë parti e re që i ka sfiduar partitë me një mentalitet shumë të vjetër. Kështu e quajti partinë e tij Alternativa për Ndryshim, kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në emisionin INTERVISTA në TV Shenja. Ai tha se partitë e vjetra në Luginë, nuk i kanë shërbyer popullit.

“Elita politike ska qenë e edukuar që ta vendosë shërbimin ndaj qytetarëve, por vetëm ndaj vetëvetes. E kemi liruar popullin dhe neve na mbetet që përmes politikbërjes në Luginë të realizojmë projektet për zhvillim”, tha Arifi.

Sipas tij, qytetarët e Luginës janë një shembull shumë i mirë edhe për Maqedoninë, për mënyrën e të bërit ndryshime në pushtet.

“Qytetarët e Preshevës e kanë bërë një kthesë simbolike për gjithë rajonin, si mësim që të nxjerren konkludimet e njejta edhe në Maqedoni”, deklaroi ai.

Presheva nuk e ka vetëm problemin e Serbisë, tha asi, duke shtuar se Serbia nuk është i vetmi faktor për gjendjen e shqiptarëve në Luginë. Sipas tij, uji i ndotur për pije dhe problemet infratsrukturore, e bëjnë Preshevën të ngjashme me disa qytete dhe shtete në Afrikë.

Ai tha se Lugina është e zhytur në probelem të shumta, ku papunësia është në shifrat 70%, nuk ka investitorë të huaj, që është një problematikë komplekse. Por, Arifi tha se qëllimi i partisë Alternativa për Ndryshim, është që ta zhvillojë ekonominë në këtë vend përmes depolitizimit të të gjitha institucioneve, por edhe përmes depolitizimit të ekonomisë.

“Patriotizmi më i madh i kësaj kohe është zhvillimi i ekonomisë, pasi për këtë arsye shqiptarët migrojnë në Evropë. Pra ne do mundohemi të ndërtojmë një komunë evropiane, duke zzhvilluar ekonominë dhe suke menaxhuar Komunën në mënyrë profesionale”, tha kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

I pyetur për mos hapjen e kufirit Llojan-Miratoc, Arifi tha se humbjet nga moshapja e kësaj pike kufitare, janë të mëdha.

“Humbjet janë të shumëfishta. Nuk varet prej kryetarit të komunës që ta hap kufirin, por unë si kryetar duhet të kontriboj që kufiri të hapet”, tha Arifi.

Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të vetëdijësohen për të bërë ndryshime pozitive në skenën politike. “Të gjithë shqiptarët ku do që gjinden të vetëdijësohen për rrugën se ku duan të shkojnë”, përfundoi fjalën e tij kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi në emisionin INTERVISTA në TV Shenja.

Shekulli Agency