Serbia paralajmëron masa reciprociteti ndaj Francës

Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Serbisë, Nela Kuburoviç, sot, pas seancës së qeverisë deklaroi se Serbia kërkon ekstradimin e menjëhershëm të ish-liderit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe se ndaj Francës do të sillet sikur që ajo sillet ndaj Serbisë.

Kuburoviç theksoi se shpreson që Franca sa më shpejt të jetë e mundur do të ekstradojë Haradinajn.

Ajo shtoi se nuk është e mundur që të mbështeten në faktin se Ramush Haradinaj është liruar nga Tribunali i Hagës, për shkak se atje është akuzuar për krime të kryera në shtator të vitit 1998, ndërkohë që Serbia e akuzon për krime të kryera në qershor të vitit 1999.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç sot më herët pati deklaruar se Serbia nuk do të heqë dorë nga ndjekja e Haradinajt dhe kërkesës për ekstradimin e tij.

Daçiç u tha gazetarëve në Muzeun Ushtarak se Serbia konsideron se BE-ja ka disa parime, duke përfshirë edhe dënimin e krimeve të luftës.

Haradinaj u arrestua më 4 janar në bazë të një urdhërarresti të Serbisë nga viti 2004 nën dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës në vitin 1998 dhe 1999 kundër serbëve dhe popullatës tjetër joshqiptare. Haradinaj në vitin 2012 u lirua nga të gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën e Hagës.

Haradinaj dje u lirua me kusht dhe i është marrë pasaporta dhe është ndaluar që të largohet nga Franca.

Shekulli Agency