Rama dhe Tahiri falenderojnë Turqinë për uniformat e policisë

“Dua ti shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim Qeverisë së Turqisë dhe personalisht presidentit të Turqisë që na mbështetën në këtë kërkesë”.

kot-8766Gjatë aktivitetit “Policia e gjeneratës së re”, organizuar nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë lidhur me përfundimin e projektit për uniformat e reja të Policisë Shqiptare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Siamir Tahiri kanë falënderuar qeverinë turke dhe veçanërisht Presidentin Recep Tayyip Erdoğan për ndihëm e dhënë për këtë projekt.

Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij ka theksuar se ambicia e qeverisë është që në një 10-vjecar Policia e Shtetit Shqiptar të jetë ndër policitë më të mirat të Bashkimit Evropian. Sipas tij ky objektiv është jo vetëm i mundshëm, por edhe tërësisht në mundësitë e shtetit shqiptar.

“Dua ti shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim Qeverisë së Turqisë dhe personalisht presidentit të Turqisë që na mbështetën në këtë kërkesë dhe bënë të mundur që sot policia jonë e shtetit të jetë njësoj si të gjitha policitë e zhvilluara. Pjesa e uniformave operacionale është tanimë në dispozicion të të gjithë atyre që në punën e përditshme të terrenit e kanë të domosdoshme këtë uniformë”, është shprehur Rama në fjalën e tij në këtë aktivitet.

Ministri Tahiri ka theksuar se nga sot punonjësit e policisë do të kenë uniforma të reja, të plota për çdo stinë, të cilat i ka konsideruar mjaft cilësore, për mbi 9.000 punonjës policie.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme, dhe për këtë dua të falënderoj pa asnjë diskutim partnerët tanë turq, që pas 3 vjet këmbënguljesh tona e veçanërisht të kryeministrit, përfunduam bashkë këtë projekt të rëndësishëm për Policinë Shqiptare. Kjo nuk është çështje veshjesh. Kjo është mbi të gjitha çështje dinjiteti për punonjësit e policisë dhe besimin e publikut tek uniforma që përfaqëson ligjin në rrugë”, ka theksuar Tahiri.

Uniformat për 9 mijë efektivë të policisë shqiptare janë dhuratë nga qeveria e Turqisë.

Ndërkohë deklaratat e kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri për falënderimin e Turqisë në lidhje me uniformat e policisë kanë patur një jehonë të gjerë në mediat shqiptare.

Shekulli Agency