Programi i shkollave turke me korrespondencë do të zgjerohet edhe në Ballkan

Shërbimet për shkollim me korrespondencë që qysh më parë ofrohen në kuadër të protokollit në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Francë, Zvicër dhe Austri, do të fillojnë të ofrohen edhe në Maqedoni, Kosovë dhe Bullgari

kot-6557447Në kuadër të protokollit të zgjeruar mes Ministrisë së Arsimit të Turqisë dhe Universitetit Anadolu, do të ofrohen shërbime për shkollim me korrespondencë për shtetasit turq në Ballkan, bashkatdhetarët, komunitetet mike që flasin gjuhën turke dhe personat që nuk kanë arritur t’i përfundojnë studimet e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Arsimit e Turqisë dhe Universiteti Anadolu në ndërtesën e ministrisë nënshkruan protokollin për “Zbatimin e programeve të Evropës Perëndimore për shkollat e mesme dhe fillore me korrespondencë”.

Shërbimet për shkollim me korrespondencë që qysh më parë ofrohen në kuadër të protokollit në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Francë, Zvicër dhe Austri, do të fillojnë të ofrohen edhe në 31 qendra shkollore për shkollim të hapur në Maqedoni, Kosovë dhe Bullgari.

“Mundësi e mirë për përfundimin e shkollimit të obliguar”

Sekretari në Ministrinë e Arsimit të Turqisë, Yusuf Tekin, në ceremoninë e nënshkrimit të protokollit, tha se shkollat e mesme me korrespondencë do të jenë një mundësi që shtetasit turk që kanë ngelur jashtë periudhës së procesit mësimor ose që në njëfarë mënyrë nuk kanë mundur të ndjekin mësimet, ta përfundojnë shkollimin e obliguar.

Siç tha Tekin, veçanërisht në Evropën Perëndimore ka shumë shtetas turq, të cilët kanë nevojë për mbështetje serioze që të mund ta vazhdojnë shkollimin e obliguar.

Ai shtoi se në këtë fushë, Universiteti Anadolu është universiteti më profesional dhe më cilësor.

Sekretari Tekin falënderoi Universitetin Anadolu për mbështetjen e dhënë për përgatitjen e protokollit dhe Drejtorinë e Përgjithshme për Mësim të Përjetshëm për zbatimin e suksesshëm të shkollave të mesme me korrespondencë.

“Më 16 tetor në SHBA do të realizojmë provim pranues”

Prof. Dr. Naci Gündoğan, rektori i Universitetit Anadolu, nga ana tjetër, tha se protokolli i nënshkruar është vazhdimi i një bashkëpunimi të gjatë prej vitesh me Ministrinë e Arsimit.

Gündoğan theksoi se fusha e veprimit të protokollit do të zgjerohet, duke shtuar se krahas programeve për Evropën Perëndimore, do të punojnë me ministrinë për zbatimin e programeve të shkollave të mesme me korrespondencë edhe në Ballkan. “Tani e tutje do të vazhdojmë të bashkëpunojmë jo vetëm për shkolla të mesme, por edhe në lidhje me arsimin e lartë. Jemi të vendosur t’i ofrojmë shërbime Ministrisë së Arsimit dhe të punojmë së bashku”, tha Gündoğan.

Duke e falënderuar Drejtorinë e Përgjithshme të Mësimit të Përjetshëm pranë Ministrisë së Arsimit, Gündoğan u shpreh se “Në saje të këtij programi, zgjerimi i shkollave me korrespondencë në periudhën në vijim do të realizohet si në Evropën Perëndimore, ashtu edhe në Ballkan, në vende ku jetojnë shumë bashkatdhetarë turq, siç janë Maqedonia, Kosova dhe Bullgaria.”

“Ata që diplomohen në këto shkolla të mesme, vazhdojnë edhe në fakultetet tona me korrespondencë, si në Evropën Perëndimore, ashtu edhe në Ballkan. Shpresoj këto programe të zgjerohen në të gjitha vendet ku jetojnë turq. Në kuadër të Universitetit Anadolu, planifikojmë që vitin e ardhshëm programin ta hapim në SHBA. Më 16 tetor do të realizojmë provim pranues. Nëse programet e shkollave të mesme me korrespondencë hapen në SHBA, në këtë mënyrë do të rritet potenciali ynë i nxënësve”, vlerësoi Gündoğan.

Shekulli Agency