Përderisa po pret përgjigje nga Ivanov, PSP po gjurmon pas krimeve financiare

pro-spe-shkup-666(MAQEDONI): Ende jemi duke pritur që presidenti Gjorgje Ivanov ta mundësoje realizimin e drejtësisë. Drejtësia nuk guxon që të ketë qasje selektive dhe nuk guxon që ta fsheh të vërtetën. Ende jemi duke e pritur përgjigjen e Ivanovit prej ku ai ka informacione për personat e dyshuar në procedurat tona.

Këtë gjë e deklaroi sot në pres konferencë, prokurorja, Lence Ristoska, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale Publike.

PSP është duke udhëhequr shtatë procedura hetuese ku janë të përfshirë 60 persona.

“ Nuk kemi mundësi që të ndajmë më shumë informacione për procedurat tona, por këtu jemi për të punuar vazhdimisht. Pjesa dërmuese e procedurave tona janë të fokusuara në hetimet financiare që kërkojnë kohë për t`u mbledhur dhe analizuar materiali dëshmues”, deklaroi ajo.

Ristoska shprehu shqetësimin e saj për informacionet e pasakta në lidhje me punën e tyre në disa medie dhe paralajmëroi se PSP në ueb sajtin e saj do të publikoje raporte javore të deklaratave të cilat kjo prokurori i ka dhënë duke iu përgjigjur pyetjeve.

Shtoi se hetimet dhe procedurat para hetimore po vazhdojnë, përderisa PSP po e implementon deri në fund parimin e prezumimit të pafajësisë.

Shekulli Agency