PD: Momenti i fundit që i gjithë spektri politik i vendit të reflektojë

pd-4533766Partia e Drejtësisë vlerëson se aktualiteti politik në Kosovë është mjaftë i rënduar, konfliktuoz dhe në shumë aspekte i paqartë.

PD konsideron se është momenti i fundit dhe historik që i gjithë spektri politik i vendit të reflektojë duke pasur në plan të parë interesin e popullit dhe të shtetit, e jo interesin e ngushtë partiak, përmes dialogut politik të kërkojë dhe të gjejë zgjidhjen më të mirë për tejkalimin e kësaj situate të rënduar politike.

PD është e bindur se, pa marrë parasysh kohëzgjatjen e pengesave që i bëhen Kuvendit të Kosovës, megjithatë, Kuvendi është institucioni i vetëm i cili do të marrë vendime përfundimtare, çfarëdo qofshin ato.

Partia Drejtësisë kërkon nga Kuvendi i Kosovës i zgjedhur me votën e lirë, që të ushtrojë me përgjegjësi të drejtat, obligimet dhe detyrat e tij, konform funksionit kushtetues që ka, dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që të sigurojë, vazhdimësinë e shtet-ndërtimit, ruajtjen e paqes dhe sigurisë së vendit dhe të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie apo besimi që kanë dhe në këtë mënyrë të ruajë dhe forcojë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.

PD mbështet nismën ligjore për verifikimin e përputhshmërisë së parimeve të asociacionit të komunave me shumicë të popullatës serbe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e vendit si dhe inicimin e ekspertizës ndërkombëtare për përkufizimin e vijës kufitare ndërmjet vendit tonë dhe Malit të Zi.

Partia e Drejtësisë fton opozitën që t’i kthehët punës normale politike në Kuvend dhe me forcën e argumentit ta fitojë luftën politike.

Mbështetur mbi këtë Partia e Drejtësisë konsideron se:

-Është momenti i fundit dhe historik që i gjithë spektri politik i vendit të reflektojë duke pasur në plan të parë interesin e popullit dhe të shtetit e jo interesin e ngushtë partiak, përmes dialogut politik të kërkojë dhe të gjejë zgjidhjen më të mirë për tejkalimin e kësaj situate të rënduar politike si dhe të vështirësive të tjera që po e diktojnë veprimin politik, duke filluar nga mosveprimi i skajshëm e deri te veprimi i dhunshëm, dhe të gjejë rrugën më të mirë që duhet ta ndjek Kosova;

– Si shtet i ri, demokratik dhe shumë partiak, është e domosdoshme që të respektohen rregullat demokratike, si në fushën e veprimit politik, ku dëgjohet zëri i secilit subjekt politik, ashtu edhe në funksionimin e organeve shtetërore;

-Fjala e lirë është bazë e demokracisë dhe askush me asnjë mjet nuk e ka të drejtën që ta pengojë, qoftë pjesë e shumicës apo e pakicës;
-Kuvendi si organi më i lartë legjislativ në vend, duhet të funksionojë pa pengesa dhe të afirmohet si themeli i demokracisë. Asnjë parti politike apo formacion politik nuk ka të drejtën që ta pengojë punën e Kuvendit të Kosovës;

-Janë të pa pranueshme tentativat që me metoda të dhunës të imponohet mendimi politik;

-Është përgjegjësi e organeve shtetërore që të respektohet dhe të zbatohet ligji në tërë territorin e vendit, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës që duhet të funksionojë konform rregullores së tij. Duke siguruar që askush nuk mund të jetë mbi ligjin;

– Nga diskursi aktual politik duhet të largohet çdo mendim, fjalë apo veprim që nxitë urrejtje, neveri apo qoftë edhe mos respekt për të tjerët. Të stimulohet dhe të afirmohet qasja e respektit, mirëkuptimit dhe tolerancës;

Partia e Drejtësisë është e bindur se Kosova ka potencial dhe kapacitete krijuese që të kapërcejë vështirësitë aktuale nëpërmjet bisedimeve dhe fton te gjitha forcat politike të vendit që të gjejnë mënyrën dhe rrugën e veprimit të përbashkët politik që forcon shtetin e Kosovës, zhvillimin ekonomik, ngrite mirëqenien sociale dhe siguron perspektivë të qartë euro-atlantike./Mesazhi.com/

Shekulli Agency