Partia AK fiton 317 deputetë e formon e vetme qeverinë

legjislativNë Turqi dje u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat, sipas rezultateve preliminare pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Partia) korri fitore bindëse, duke fituar 49.48 përqind të votave, gjegjësisht 317 deputetë në Parlamentin i cili numëron gjithsej 550 deputetë, raporton Anadolu Agency (AA).

Lideri i AK Partisë dhe kryeministër aktual i Turqisë, Ahmet Davutoglu, pas shpalljes së fitores, porositi se do të formojë vet qeverinë e cila do të vazhdojë t’i shërbejë shtetit dhe popullit në tërësi, dhe do të vazhdojë ritmi i zhvillimit të cilin ky opsion politik e filloi para 13 viteve, kur për herë të parë erdhi në pushtet.

Opozita më e fortë Partia Popullore Republikane (CHP) dje fitoi 25.31 përqind të votave, gjegjësisht 134 deputetë në Parlament.

Partia majtiste prokurde Popullore Demokratike (HDP) fitoi 10.75 përqind të votave dhe do të ketë 59 vende në Parlament.

Edhe Partia opozitare e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) kaloi pragun zgjedhor dhe fitoi 11.9 përqind të votave, që i garantojnë 40 vende përfaqësimi në Parlament.

Ndërkohë që 12 partitë tjera politike nuk kaluan pragun zgjedhor prej 10 përqind.

Zgjedhjet e djeshme vijuan pasi në bazë të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 7 qershor, asnjë parti nuk arriti që vet të formojë qeverinë, ndërsa as negociatat për koalicionim të mundshëm nuk patën sukses. Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan shfrytëzoi të drejtën kushtetuese dhe shpalli zgjedhje të reja.

Zgjedhjet parlamentare në Turqi mbahen çdo katër vite, ndërsa dje është zgjedhur përbërja e 26-të e Parlamentit kombëtarë në hitorinë moderne të vendit. Parlamenti numëron 550 vende deputetësh dhe për formimin e qeverisë nevojiten së paku 276 deputetë, ndërsa AK Partia gjatë mandatit të ri do të ketë madje 317 deputetë dhe paralajmëroi qeveri stabile.

Komisioni i Lartë Zgjedhor (YSK) mbrëmë konfirmoi se katër partitë e lartpërmenduara kanë hyrë në Parlament dhe paralajmëroi se rezultatet zyrtare të zgjedhjeve do të konfirmohen nga mesi i nëntorit, pas procesimit të ankimimeve eventuale për procesin zgjedhor.

Zgjedhjet e djeshme në Turqi u zhvilluan në masa të forta sigurie dhe në atmosferë jashtëzakonisht të qetë dhe demokratike, ndërsa autoritetet kompetente konfirmuan se në gjithsej 175 mijë e 6 qendra votimi nuk është shënuar asnjë incident serioz.

Shekulli Agency