Operacion rajonal antiterror, arrestohen 4 persona

pol-tir-8766Në kuadër të një operacioni policor rajonal antiterror të zhvilluar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, gjatë orëve të fundit janë arrestuar nga policia 4 shtetas shqiptarë si dhe janë shoqëruar 16 shtetas të tjerë, nga këta 5 të huaj dhe 11 shqiptarë.

Në një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shqiptare, bëhet e ditur se operacioni është drejtuar nga Drejtoria Antiterror në Policinë e Shtetit Shqiptar në bashkërendim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Shkodër, Dibër, Elbasan si dhe me Forcat e Lëvizshme Operacionale. Operacioni në fjalë është zhvilluar në qytetet Tiranë, Dibër, Shkodër dhe Elbasan.

Sipas policisë në përfundim të këtij operacioni u ndaluan shtetasit Xh. F, 34 vjeç, banues në Dibër, B. P, 30 vjeç, banues në Shkodër, E.F, 30 vjeç, banues në Shkodër dhe M. H, 46 vjeç, me banim në Tiranë.

“Ndalimi u bë pasi këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetas të tjerë jashtë vendit, propagandojnë nxitjen e urrejtjes, rekrutimin e personave për të shkuar në Siri përkrah organizatës terroriste ISIS (DEASH), mbështesin me logjistikë e financime këtë organizatë terroriste, si dhe mund të udhëtonin në zonat e konfliktit në vendet e Lindjes së Mesme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet hetimore për shtetasit e arrestuar i janë referuar Prokurorisë për Krimet e Rënda për veprat penale të “Veprave me qëllime terroriste”, “Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve” dhe “Organizimi për pjesëmarrje në luftime luftarake në një shtet të huaj”.

Ndërsa disa ditë më parë gjatë kontrolli të policisë së burgjeve në burgun e Vaqarrit në Tiranë, u raportua se janë gjetur vizatime me përmbajtje simbolesh dhe mesazhesh të organizatës terroriste DEASH.

Shekulli Agency