Nuk arrihet marrëveshja për kodin telefonik të Kosovës

Pas pesë ditësh të takimeve intensive për çështjet e kodit telefonik në Bruksel, nuk arrihet marrëveshja për implementim, me gjithë përparimet e vogla në disa aspekte

sh-Edita-TahiriPas pesë ditësh të takimeve intensive për çështjet e kodit telefonik në Bruksel, nuk arrihet marrëveshja për implementim, me gjithë përparimet e vogla në disa aspekte.

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka deklaruar që “Gjatë gjithë kësaj kohe delegacioni i Kosovës ka mbrojtur interesat e shtetit, ka mbrojtur marrëveshjen për telekom dhe planin aksional dhe kategorikisht ka qenë i vendosur të mos pranojë kërkesat e palës serbe që dalin jashtë marrëveshjes për telekomin. Siç është thënë edhe më përpara pala serbe duke e shkelur marrëveshjen ka kërkuar shtrirje të antenave të telekomit në të gjithë Kosovën dhe ka pasur tendenca për t’i uzurpuar asetet e telekomit të Kosovës”.

Gjithashtu në njoftim bëhet e ditur se delegacioni i Kosovës i është përgjigjur palës serbe, se këto janë vija të kuqe të përcaktuara me marrëveshjen e telekomit, duke theksuar se ky delegacion nuk ka lejuar devijimin nga marrëveshja.

Ndërkaq, për këtë çështje dje në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës u mbajt një interpelancë, ku deputeti Visar Ymeri kishte kërkuar votimin e rezolutës, përmes së cilës për Republikën e Kosovës kërkohet të aplikohet kodi telefonik ‘355’, pra ai i Shqipërisë. Kurse në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet të hënën, do të bëhet votimi i këtij Propozim-Rezolute.

Shekulli Agency