Nikoliç: Serbia nuk do të nisë e as nuk do të nxisë konflikte

“Nuk duam konflikt, por ka situata dhe rrethana ku nuk mund të silleni sipas dëshirave tuaja. Ne do të veprojmë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë”, tha Nikoliç

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç tha se Kosova dje ka shkelur disa marrëveshje nga Brukseli dhe rikujtoi se pika një e marrëveshjes së Brukselit ka të bëjë me lirinë e lëvizjes dhe të drejtën që të gjithë qytetarët të lëvizin lirshëm, pa mundësinë që të parandalohen nga ndokush, raporton (AA).

Nikoliç, pas takimit të Këshillit Kombëtar të Sigurimit të mbajtur pas ngjarjeve të djeshme lidhur me lëvizjen e trenit Beograd-Mitrovicë, para gazetarëve tha se ekziston një dispozitë që thotë se njësitë speciale ROSU nuk mund të paraqiten në veri të lumit Ibër, pa marrjen e autorizimit nga NATO-ja dhe bashkësia lokale.

Ai theksoi se BE-ja dhe NATO-ja nuk kanë dhënë përgjigjen e duhur ndaj ngjarjeve të djeshme.

“Ne kurrë nuk do të fillojmë dhe nuk do të nxisim konflikte, por jemi një shtet që mbron njerëzit dhe territorin e saj”, tha ai.

Sipas tij, është e qartë se marrëveshja e Brukselit shërben që Serbisë t’i tërhiqet vërejtja se për çka është zotuar, kurse Kosova t’i shkel ato.

Nikoliç tha se sugjerimi i tij në Këshillin e Sigurimit Kombëtar ishte se tani në Bruksel duhet negociuar vetëm rreth asaj se kur do të kalojë treni, apo rreth lirisë së lëvizjes.

“Çdo gjë tjetër është e parëndësishme. Nëse nuk ka liri të lëvizjes, nëse e kemi nënshkruar, nëse garantuesi i asaj lirie janë BE dhe NATO, e cila ka një prani ushtarake, dhe nëse nuk duan të bëjnë sigurinë, për çfarë duhet biseduar me institucionet e përkohshme të Kosovës”, tha Nikoliç.

Shekulli Agency