Nëntë vjet shtet, Kosova feston sot Pavarësinë

Kosova feston sot 9 vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe formimit të shtetit të ri. Ceremonitë zyrtare që nisën para tre ditësh, kulmojnë sot me homazhe në varret e komandantit legjendar të UÇk-së Adem Jashari dhe presidentit historik Ibrahim Rugova.

Të dy këto, personalitete me kontributin më të madh në rrugën e Kosovës drejt të qenit shtet, do të nderohen nga krerët më të lartë të institucioneve kosovare. Por në agjendën tri ditore mungon parakalimi tradicional i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa seanca solemne e kuvendit u zhvillua dje, po ashtu edhe pritja shtetërore  me pjesëmarrjen edhe të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Hashim Thaçi, në fjalën e tij tha se Kosovën e kanë njohur 113 shtete.

Thaçi ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian që e kanë ndihmuar dhe njohur shtetin e Kosovës.

Shekulli Agency