Në Shkup 21 viktima nga përmbytjet, autoritetet vazhdojnë kërkimet

ver-shkupMoti i keq i mbrëmjes së 6 gushtit i cili më shumë goditi vendbanimet në afërsi të rrethrrotullimit të Shkupit, përveç dëmeve të mëdha materiale mori edhe jetën e mbi 20 personave, prej të cilëve 21 janë identifikuar, ndërsa 6 të tjerë ende mbeten të zhdukur.

Pjesët më të prekura nga moti i keq, atje dhe ku janë regjistruar viktimat janë vendbanimet Stajkovci, Haraçina, Hasanbegu dhe Smikovci. Banorët në këto vendbanime vazhdimisht shpjegojnë tmerrin që kanë përjetuar gjatë kohës së përmbytjeve. Ata rrëfejnë se si kanë arritur të shpëtojnë jetët e tyre dhe të të të afërmeve dhe se si nga të gjitha anët dëgjonin britmat “ndihmë”, në mesin e të cilëve ka pasur edhe persona që nuk kanë mundur shpëtojnë.

Leotrim Sinani i cili humbi mbesën dhe nipin natën e përmbytjeve, tregon se pasi i ka marrë uji, trupi i mbesës së tij është gjetur ditën e nesërme, ndërsa trupi i nipit është gjetur nga policia dhe është dorëzuar mbrëmë.

“Duke u kthyer në shtëpi vëllai me gruan dhe tre fëmijët, uji i ka shty nga ura në kanal. Foshnjën gjashtë muajshe dhe fëmijën 4 vjeçar ka arritur t’i shpëtoj, ndërsa fëmijën 6 vjeçar dhe gruan i ka vendosur mbi veturë për t’u kthyer edhe për to. Mirëpo, kur është kthyer prapa vetura është rrotulluar dhe trupat i ka marrë uji”, shpjegon Sinani.

Përveç jetëve të humbura të njerëzve, në këto vendbanime uji ka marrë me vete edhe shumë kafshë. Faik Abazi, banorë i Hasanbegut të cilit uji ia mori 30 dele thotë se niveli i ujit u rrit brenda disa minutave dhe ai nuk dinte si të shpëtojë njerëzit apo kafshët.

“Nuk dinim kë të shpëtojmë, njerëzit apo kafshët. Kur u ktheva uji i kishte marrë 30 dele dhe këtu kanë mbetur vetëm këto. Polica ka ardhur dhe është interesuar për njerëzit, por për kafshët nuk janë interesuar aspak”, tha Abazi.

Vaid Abazi nga Hasanbegu, i cili gjatë kohës së përmbytjeve qëndroi brenda në shtëpi, sepse nuk ka pasur mundësi të largohet nga shtëpia për shkak të nivelit të lartë të ujit, tregon se si nga jashtë dëgjonte të bërtitura për ndihmë. Ai thotë se në shtëpi ka qëndruar me orë i mbyllur dhe nuk ka pasur mundësi të kërkojë ndihmë nga dikush, pasi që edhe rrjeti i telefonit nuk punonte.

“Kur erdhi uji isha bashkë me familjen time brenda në shtëpi. Nga dritarja e shtëpisë pash një veturë që rrotullohej nga uji, ndërsa brenda në të një grua duke kërkuar ndihmë, mirëpo nuk kishte asnjë mundësi që t’i ndihmoja”, u shpreh Abazi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, më herët deklaroi se ekipet vazhdojnë me kërkimin e personave të zhdukur në terren dhe me pastrimin e rrugëve dhe oborreve të shtëpive, në të cilat vazhdojnë të qëndrojnë automjete të përmbysura, baltë dhe mjete të tjera të dëmtuara.

Shekulli Agency