Muri serb në Ibër: po tani çdo të bëjnë “Isa me shokë”?

Marrëveshja për urën e Mitrovicës përbëhet nga renovimi i vetë urës. Ky renovim bëhet me fondet e BE-së. Kjo vlen edhe për rrugën ‘Mbreti Petar’. Që të dyja, ura dhe rruga është rënë dakord që të rihapen më 20 janar 2017”, ka thënë Kocijançiq, por që nuk ka treguar qartë nëse në kuadër të projektit është paraparë edhe ndërtimi i murit

Ja ç’thotë kryeministri Mustafa, për murin…

Lidhur me këtë çështje sot është deklaruar edhe vet kryeministri Isa Mustafa i cili është shprehur më butë se ministrja Tahiri, duke mos dhënë fjalë të mëdha nëse do rrënohet muri apo jo.

“Muri në veri të Mitrovicës do të trajtohet me ligj, do të bisedojmë edhe me BE-në. Nuk do t’i tregojmë muskujt e as gjoksin, sepse ato i tregon ligji. Ministrja për Dialog është në kontakte me BE-në që të shikojë nëse është në harmoni me marrëveshjen”, ka thënë kryeministri gjatë konference për media.

Nitaj: Skandaloze ndërtimi i murit 

Lidhur me ndërtimin e urës kanë plasur reagime të shumta si nga opozita, deputet, parti opozitare në Mitrovicë dhe nga organizatat e luftës. Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së, e ka quajtur skandaloze ndërtimin e murit tek ura e Ibrit. Sipas tij kjo është rezultat i bisedimeve “historike” që i ka zhvilluar kjo qeveri tash e sa kohë me Beogradin. 

“Të ndërtohet mur midis qytetit e në dritë e për diell, e qeveria të thotë nuk e kemi parë, është qesharake. Fatkeqësisht në këtë vend nuk ka opinion aktiv, se po të kishte, sot do të duhej të ishin 100 mijë njerëz në rrugë dhe do ta përmbysinin këtë pushtet për dy orë. Ata e ndajnë vendin me mur, e këta thonë ‘jemi në konsultime me Brukselin’”, ka thënë Nitaj, për tesheshi.com.

Ndaj, ndërtimit të murit ka reaguar edhe deputeti Ilir Deda i cili ka fajësuar pikërisht ekzekutivin e vendit, derisa ka shtruar dilemën nëse ekzekutivi do ketë guxim ta rrënoi murin në fjalë.

“Në Mitrovicë po ndërtohet ‘shëtitorja’ e rrethuar me mur. Mur që ka për qëllim cementimin e ndarjes në Ibër. E kjo, miq, është pasojë e qasjes së qeverisë tonë në Bruksel në ‘dialogun historik’. Shumë kam interes ta rrëzojë këtë mur, dhe a do ta‘rrëzojë’ apo jo. Apo, sipas praktikës deri tash, a do të ketë përsëri ‘takime historike’, por kësaj radhe për ‘largimin e murit’”, ka shkruar deputeti Deda.

“Muri mund të eskalojë situatën në veri”

Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL të UÇK), ka reaguar ndaj ndërtimit të murit mbi lumen Ibër të Mitrovicës. Kjo organizatë përmes një reagimi ka thënë se e kundërshton ashpër ndërtimin e murit duke thënë se në bisedimet e marrëveshjet e Brukselit, Kosovën e kanë dëmtuar skajshmërisht duke i favorizuar serbët për shkak të presionit të Serbisë. “Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kërkon nga qeveria e Republikës së Kosovës, që ta sqarojë opinionin publik se a është muri pjesë e marrëveshjes së dialogut dhe kanë kërkuar që muri të rrënohet sa më shpejt e mos të lejohen provokime të mëtutjeshme, sepse situata është afër eskalimit”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së.

Ndërsa, Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, parti kjo opozitare fajin për fillimin e ndërtimit të murit ja ka vënë kryetarit Agim Bahtiri derisa ka paraljamëruar se nëse nuk rrënohet situata në Mitrovicë mund të tensionohet deri në skajshmëri.

“Pjesën më të madhe të përgjegjësisë për eskalimin e mundshëm të situatës në radhë të parë do të bie mbi kryetarin, Agim Bahtiri, i cili prej ditës së parë që ka marrë mandatin ka udhëhequr një politikë të gabuar në raport me situat
ën në veri.

Papërgjegjësia e tij po e rrezikon jo vetëm Mitrovicën, por gjithë vendin. Si rrjedhojë insitucionet qendrore dhe ato ndërkombëtare duhet të reagojnë dhe ta qartësojnë këtë situatë, meqë ky njeri është duke e drejtuar Mitrovicën drejt humnerës”, thuhet në reagimin e këtij subjekti.

Ndryshe, rivitalizimi i urës ka nisur në muajt e verës, duke larguar kështu të ashtuquajturin “Park i Paqes”, i vendosur nga serbët pas largimit të barrikadës. Punimet në këtë mur kanë nisur para rreth një jave, por tek të mërkurën ka nisur zbulimi i tij.

/tesheshi.com/

Shekulli Agency